Ekip
07 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Araqchi, ka thënë se Irani është i gatshëm që t'i kthehet zbatimit të plotë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 (JCPOA) të nënshkruar me fuqitë botërore, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Hapi i pestë i Iranit për reduktimin e angazhimeve të marrëveshjes bërthamore të korrikut të vitit 2015 nuk do të thotë që marrëveshja ka përfunduar ose Irani dëshiron të tërhiqet prej saj", agjencia IRNA citon të ketë thënë Araqchi në një deklaratë gjatë një forumi të dialogut rajonal të mbajtur në Teheran.
"Kjo thjesht nënkupton që ne kemi arritur një ekuilibër të arsyeshëm në JCPOA", shtoi ai, duke përdorur emrin zyrtar të marrëveshjes.
Araqchi tha se Irani mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes "nëse palët tjera mbeten të përkushtuara ndaj kushteteve të saj".
Të dielën, Teherani tha se do të braktisë kufizimet në pasurimin e uraniumit, duke ndërmarrë një hap të mëtejmë nga angazhimet e marrëveshjes.
Kjo masë erdhi në kohën kur janë përshkallëzuar tensionet midis Iranit dhe SHBA-ve pas vrasjes së komandantit të lartë ushtarak Qasem Soleimani në një sulm ajror amerikan në Irak.
Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë përshkallëzuar që nga viti 2018, kur Washingtoni në mënyrë të njëanshme u tërhoq nga marrëveshja bërthamore.
Që atëherë, SHBA ka filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit, për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.
Si pjesë të fushatës së saj, SHBA ka përfshirë rivendosjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës iraniane të papërpunuar, duke shkaktuar rënie në ekonominë e Iranit.