Fatih Hafız Mehmet
16 Janar 2018•Përditësim: 16 Janar 2018
STAMBOLL (AA) – Irani ka kritikuar planet e SHBA-ve për një “forcë të sigurisë kufitare” brenda Sirisë, duke e përshkuar këtë lëvizje si “ndërhyrje në punët e brendshme të një vendit tjetër”, raporton Anadolu Agency (AA).
Të dielën, zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, Ryan Dillon, njoftoi planet për të formuar një forcë sigurie të kufirit prej 30.000 trupash në Siri së bashku me SDF-në, një grup i mbështetur nga SHBA-të i përbërë kryesisht nga elementet terroriste të PKK/PYD-së.
PKK/PYD është dega siriane e organizatës terroriste PKK, e cila është përcaktuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja. Që nga mesi i viteve 1980, PKK ka zhvilluar një fushatë të gjerë terroriste kundër shtetit turk, ku rreth 40.000 njerëz janë vrarë.
“Planet e SHBA-ve për të formuar një ‘force të sigurisë kufitare’, përbëjnë ndërhyrje flagrante në çështjet e një vendi tjetër. Paralelisht me ndërlikimin e situatës në Siri, ky vendim do të shërbejë vetëm për të destabilizuar më tej vendin”, tha Bahram Kasimi, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Sipas Kasimit, Irani, së bashku me Turqinë dhe Rusinë, janë duke u përpjekur të përfundojnë konfliktin e gjatë në Siri duke promovuar dialogun dhe duke vendosur armëpushim. Ai gjithashtu i bëri thirrje SHBA-ve që të tërheqin të gjitha forcat e saj nga Siria.