Sena Güler
21 Qershor 2019•Përditësim: 22 Qershor 2019
Ushtria iraniane të enjten ka publikuar një video të rrëzimit të dronit (mjet ajror pa pilot) të SHBA-ve mbi Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Materiali, i cili është shpërndarë në rrjetet sociale, tregon momentin kur objektivi u godit nga një raketë e lançuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore.
Në të thuhet se objektivi është një dron zbulues RQ-4 Global Hawk i prodhimit amerikan.
Garda Revolucionare e Iranit të enjten njoftoi se ka rrëzuar dronin.
Irani dhe SHBA-të nuk pajtohen rreth vendndodhjes së dronit kur ai u rrëzua. Teherani zyrtar thotë se droni shkeli hapësirën ajrore iraniane, përderisa Washingtoni thotë se droni ishte në hapësirat ndërkombëtare.
Më vonë gjatë ditës, ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, gjithashtu publikoi koordinatat se ku u rrëzua droni dhe njoftoi se rrënojat e tij ranë në ujërat territoriale të Iranit.
"Në ora 00:14 droni amerikan u nis nga Emiratet e Bashkuara Arabe në mënyrë të fshehtë dhe shkeli hapësirën ajrore iraniane. Ai u qëllua në ora 04:05 në koordinatat (25°59'43"N 57°02'25"E) në afërsi të Kouh-e Mobarak", shkroi Zarif në rrjetet sociale.
"Ne i kemi marrë pjesët e dronit të ushtrisë amerikane në ujërat tona territoriale, ku ai u rrëzua", shtoi ai.
Tensionet SHBA-Iran
Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) të enjten tha se një avion zbulues "u rrëzua nga një raketë tokë-ajër nga sistemi raketor iranian përderisa po operonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare në Ngushticën e Hormuzit.
Mjeti ajror pa pilot i tipit RQ-4A Global Hawk përdoret nga marina amerikane për qëllime zbuluese.
Pas incidentit, presidenti amerikan Donald Trump në rrjetet sociale shkroi se "Irani ka bërë një gabim të madh".
Kjo deklaratë vjen në kohën kur rritet armiqësia në Gjirin Persik mes SHBA-ve dhe Iranit.
Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit janë rritur që nga viti i kaluar, kur Washingtoni u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Teheranit dhe 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë edhe Gjermaninë dhe BE-në.
Që atëherë, SHBA ka filluar një fushatë diplomatike dhe ekonomike për të rritur presionin ndaj Iranit, për ta detyruar atë të rinegociojë marrëveshjen.
Një pjesë e fushatës së saj ka përfshirë rivendosjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës iraniane të papërpunuar, duke shkaktuar rënie në ekonominë e Iranit.
SHBA-të gjithashtu kanë rritur praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dërguar një njësi aeroplanmbajtëse, forcë bombarduese dhe bateri raketore Patriot si dhe duke përdorur kërcënimet nga Irani si arsyetim për aksionet e tyre.
Të hënën, administrata e Trumpit njoftoi se do të dërgojë 1.000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke cituar si arsyetim kërcënimet e rritura nga Irani.