Zuhal Demirci
30 Maj 2023•Përditësim: 30 Maj 2023
Ministri i Jashtëm i Irlandës, Micheal Martin deklaroi se është seriozisht i shqetësuar nga ngjarjet e dhunës në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje të gjitha palëve për uljen e tensioneve, transmeton Anadolu.
Në një postim në Twitter, Martin theksoi shqetësimin rreth incidenteve në veri të Kosovës.
"Sulmet kundër paqeruajtësve të KFOR-it, mediave, policisë dhe civilëve janë të papranueshme. Është jetike që të gjitha palët të angazhohen menjëherë për de-eskalim. Dialogu është e vetmja rrugë për progres", ka shkruar Martin.
- Tensionet në veri të Kosovë
Në veri të Kosovës ku ditët e fundit janë rritur tensionet, serbët zhvillojnë protesta duke u mbledhur para ndërtesave të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq duke tentuar të hyjnë në ndërtesat e komunave dhe duke penguar fillimin e detyrës për kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.
Mes forcave të sigurisë dhe serbëve në veri të Kosovës, edhe më 26 maj u shënuan përleshje pasi policia "asistoi" kryetarët e komunave veriore Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në të cilat jetojnë kryesisht serbët.
Ndërkohë u bë e ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i dha urdhër ushtrisë për "gatishmëri" dhe se pjesëtarët e ushtrisë serbe janë nisur drejt kufirit të Kosovës.
Policia e Kosovës dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë kanë rrethuar me tela ndërtesat e komunave dhe shtuan numrin e personelit në rajon.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në rajon u fituan nga kandidatët e partive politike shqiptare, ndërsa u bojkotuan nga serbët e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga 45.095 votues të regjistruar në komunat veriore, votuan vetëm 1.567 qytetarë (3,47 për qind) e tyre.