Barış Seçkin
11 Mars 2020•Përditësim: 12 Mars 2020
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri COVID-19 në Itali është rritur në 827, pas vdekjes së edhe 196 personave sot, transmeton Anadolu Agency (AA).
Për shak të epidemisë COVID-19 që shpërtheu me 21 shkurt në vend, bilanci i viktimave vazhdon të rritet.
Shefi i mbrojtjes civile Angelo Borelli në një konferencë për shtyp në Romë tha se numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit u rrit në 10.590, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve, përfshirë vdekjet dhe shërimet, arriti në 12.462.
Gjithashtu, Borrelli tha se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 196 vdekje, "çka është edhe numri më i lartë i shënuar në një ditë" deri më sot, duke e rritur numrin në gjithsej 827 të vdekur.
Pasi njoftoi se 1.028 persona vazhdojnë të jenë në trajtim intensiv, Borrelli rikujtoi se gjersaj dje numri i të shëruarve ishte 1.004, sot ai ka arritur në 1.045 pasi janë shëruar 41 të prekur.
Duke dhënë informacione për shpërndarjen e moshës së personave që vdiqën sot, Borelli deklaroi se 2 përqind e atyre që vdiqën janë midis moshës 50-60 vjeç dhe pjesa tjetër janë mbi 60 dhe kishin kushte të ndryshme patologjike.
Ndër të tjera, sipas lajmeve në shtyp, njoftohet se në mesin e personave që kanë humbur jetën sot është edhe kreu i Dhomës së Mjekëve në Varese, 67-vjeçari Roberto Stella, i cili ka humbur jetën si pasojë e pamjaftueshmërisë në frymëmarrje të ndikuar nga koronavirusi.
Në Itali po diskutohen masa më të rrepta
Në vend po diskutohen masa më të rrepta për të parandaluar përhapjen e virusit dhe numrin e rasteve që shtohen dita ditës së bashku me personat që humbin jetën nga COVID-19.
Attilio Fontana, kreu i Autoritetit Rajonal të Lombardisë, rajon ky i cili është prekur më së shumti nga virusi, deklaroi se në rajonet e tyre janë vërejtur 1.500 raste të reja dhe se për këtë arsye ata kanë bërë propozim për zbatimin në të gjithë Lombardinë karantinën e rreptë të zbatuar më parë në dhjetë rajone, përfshirë edhe Codogno.
Ndërkaq, kryeministri Giuseppe Conte ka deklaruar se nuk përjashtojnë masat parandaluese shtesë lidhur me propozimin për ndalimin për 15 ditë të të gjithë prodhimit, për një luftë më efektive ndaj COVID-19, propozim ky i bërë nga drejtuesit e rajoneve më të prekura, Lombardia dhe Piyemonte.
"Une pres që rajoni i Lombardisë të formulojë në mënyrë të detajuar masat e tjera që shikon të nevojshme. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk mund të mbështetemi te ragimet dhe kërksat emocionale. Ka një komitet shkencor që duhet të na udhëheqë dhe ne duhet të ndjekim një rrugë me të", tha Conte.
Conte ka njoftuar një fond prej 25 miliardë eurosh për nevojat e familjeve, bizneseve, sektorin shëndetësor dhe veçanërisht për ekonominë e vendit e cila po kalon një periudhë të vështirë për shkak të epidemisë.