Mustafa Deveci
25 Mars 2019•Përditësim: 26 Mars 2019
Izraeli ka mbyllur pikat kufitare Kerm Ebu Salim dhe Beit Hanoun (Erez) me Gazën pasi një raketë e hedhur nga Rripi i Gazës nën bllokadë ra mbi një shtëpi në pjesën veriore të Tel Avivit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se do të mbeten të mbyllura deri në një vendim të ri pikat kufitare Kerm Ebu Salim që është pika e vetme ku sigurohet hyrja e produkteve tregtare në Gaza dhe pika kufitare Beit Hanoun që përdoret për kalimin e udhëtarëve.
Më tej në deklaratë thuhet se për peshkatarët e Gazës është ulur edhe kufiri i gjuetisë prej 9 miljesh detare, duke mos u dhënë informacion se sa milje është kufiri i ri.
Vendimi për mbylljen e pikave kufitare erdh pasi një raketë e hedhur nga Gaza ra mbi një shtëpi në rajonin Sharon, në veri të Tel Avivit.
Raketa në fjalë e lëshuar nga Gaza ka rënë mëngjesin e sotëm mbi një shtëpi në rajonin Sharon ku si pasojë u plagosën 7 persona.
Në Rripin e Gazës ku jetojnë rreth 2 milionë palestinezë nën bllokadë ndodhen 7 pika kufitare nga të cilat 6 nën kontrollin e Izraelit dhe 1 nën kontrollin e Egjiptit.