Lina Altawell
05 qershor 2026•Përditësim: 05 qershor 2026
Izraeli vrau katër persona dhe plagosi të paktën 14 të tjerë të premten në një duzinë sulmesh në Liban, pavarësisht përpjekjeve për armëpushim, transmeton Anadolu.
Në provincën Nabatieh, një person u vra dhe një tjetër u plagos kur një sulm izraelit synoi një ndërtesë pranë një stacioni policie në fshatin Doueir, duke e shkatërruar atë.
Tre persona të tjerë u vranë në një sulm tjetër izraelit në të njëjtin vendbanim, duke e rritur numrin e të vdekurve atje në katër, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Libanit.
Dronët izraelitë nisën gjithashtu një seri sulmesh në Habboush dhe Abba, si dhe në një motoçikletë pranë kryqëzimit të Ndihmës Popullore, duke plagosur një person.
Përshkallëzimi përfshinte gjithashtu bombardime artilerie që synonin Kfar Rumman, Nabatieh al-Fawqa dhe periferi të Choukin dhe Mayfadoun, ndërsa një dron izraelit goditi zonën rreth rrethrrotullimit Harouf-Toul.
Në Tyre, 12 persona u plagosën në një sulm pranë spitalit Jabal Amel që shkatërroi një ndërtesë që i përkiste Bank Audi. Ekipet e mbrojtjes civile i transferuan të plagosurit në spital, njoftoi agjencia.
Sulmet erdhën pavarësisht një armëpushimi të brishtë në fuqi që nga 17 prilli, të cilin Washingtoni e zgjati deri në fillim të korrikut dhe mes përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike për ta ruajtur atë dhe për të parandaluar kolapsin e tij.