Ahmet Furkan Mercan
22 Korrik 2021•Përditësim: 22 Korrik 2021
Japonia, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë dakorduar të punojnë së bashku për të ruajtur stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, ku Kina ka rritur presionin e saj dhe për denuklearizimin e plotë të Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëvendës sekretarja e Shtetit të SHBA-së Wendy Sherman, zëvendës-ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Choi Jong Kun dhe zëvendës -ministri japonez Mori Takeo diskutuan për çështjet rajonale në kryeqytetin e Japonisë, Tokio.
Është arritur marrëveshje për bashkëpunimin e ngushtë mbi denuklearizimin e Koresë së Veriut dhe palët ranë dakord t'i bënin propozime të reja Washingtonit zyrtar për vazhdimin e dialogut me administratën e Phenianit për çështjen.
Sherman pas takimit në një konferencë për media tha se bashkëpunimi për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit u theksua qartë gjatë takimit.
Ajo shtoi se së bashku do të kundërshtonin veprime të mundshme që do të minonin ligjin ndërkombëtar.
Zv/ministri japonez Takeo tha se samiti trepalësh kontribuon në forcimin e marrëdhënieve rajonale, duke shtuar se ai do të bëjë përpjekje për t'i bërë marrëdhëniet trepalëshe edhe më të forta dhe më konstruktive.
Ngushtica e Tajvanit është e gjerë 180 kilometra midis Kinës dhe Tajvanit. Ngushtica është pjesë e Detit të Kinës Jugore dhe lidhet me Kinën Lindore në verilindje. Pjesa më e ngushtë është e gjerë 131 kilometra.