Barry Ellsworth
07 Mars 2019•Përditësim: 07 Mars 2019
Drejtoresha e çështjeve financiare të kompanisë kineze Huawei, Meng Wanyhou, që kërkohet nga 13 gjykata penale në SHBA, pati një paraqitje të shkurtër në gjykatën në Vancouver të Kanadasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në sallën e stërmbushur të gjykatës, ku të pranishëm ishin edhe mediat ndërkombëtare, është vendosur që vendimi mbi ekstradimin Wanyhou të prolongohet.
Ajo u arrestua në Vancouver në muajin dhjetor me kërkesë të zyrtarëve amerikanë të cilët e kërkojnë në bazë të akuzave për mashtrim, obstruksion dhe komplot, në lidhje me shkeljen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Meng është vajza e pronarit të kompanisë teknologjike kineze Huawei dhe drejtoreshë e çështjeve financiare. Ajo u lirua pas një garancie prej 10 milionë dollarëve, mirëpo është e detyruar që të qëndrojë në Vancouver. Arrestimi dhe ndalimi i saj shkaktoi reagime pasi Kina kërkoi që ajo të lirohet, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e njeriut. Kanadaja u përgjigj duke thënë se ata thjesht po zbatojnë kushtet e ekstradimit të parapara në marrëveshjen me SHBA-të.
Javën e kaluar, Meng parashtroi padi kundër Prokurorisë së Përgjithshme të Kanadasë, shërbimeve kufitare që e ndaluan atë më 1 dhjetor si dhe policisë kanadeze, duke pretenduar se janë shkelur të drejtat e saja.
Që nga arrestimi i saj, zyrtarët kinezë kanë paditur dy kanadezë për spiunazh, ndërsa Kina këtë javë ka revokuar regjistrimin e një kompanie të madhe kanadeze për të eksportuar produktin e saj “Canola” në Kinë.
E gjitha kjo po ndodh teksa SHBA dhe Kina janë të përfshira në luftë tregtare.
Richard Peck, njëri nga avokatët e palës mbrojtëse, tha se arrestimi mund të përdoret si mjet në luftën tregtare, duke cituar presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha se mund të intervenoj në rastin në fjalë.
SHBA-të dëshirojnë që Meng të përballet me gjykatat amerikane, ndërsa shumica e rasteve të ekstradimit përfundojnë me miratimin e kërkesës.
Mirëpo, pas vendimit gjyqësor, i mbetet ministrit kanadez të drejtësisë që të sjell vendimin përfundimtar në lidhje me ekstradimin dhe nëse në bazë të Kartës Kanadeze të të Drejtave vlerësohet se të drejtat e saj janë shkelur, atëherë Meng mund të mos u dorëzohet autoriteteve amerikane.
Gjithashtu, mund të kalojnë vite përderisa të sillet vendimi përfundimtar, pasi ekstradimi mund të prolongohet përmes ankesave të shumta nëpër gjykata.