Ahmet Gençtürk
15 tetor 2021•Përditësim: 15 tetor 2021
Katari u bëri thirrje palëve në Liban që të shmangin përshkallëzimin dhe të tregojnë përmbajtje pasi përleshjet e armatosura në Bejrut shkaktuan gjashtë të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të kombit të Gjirit për Libanin, Ministria e Jashtme e Katarit në një deklaratë u bëri thirrje palëve libaneze që t’u japin përparësi interesave kombëtare mbi interesat partiake dhe politikeç
Ministria nënvizoi gjithashtu nevojën për përpjekje të bashkërenduara ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje efektive për krizën në Liban.
Të enjten, persona të panjohur të armatosur hapën zjarr ndaj protestuesve nga çatitë pranë Pallatit të Drejtësisë.
Përplasjet shpërthyen më pas mes personave të armatosur të maskuar dhe snajperistëve, duke lënë gjashtë persona të vdekur dhe 32 të tjerë të plagosur.
Protesta u mbajt për të kërkuar heqjen e Tarek Bitar, gjyqtarit që drejtonte hetimin për shpërthimin vdekjeprurës të portit të Bejrutit vitin e kaluar, pasi gjykata hodhi poshtë një ankesë kundër tij dhe e lejoi atë të vazhdonte hetimin.
Duke komentuar dhunën, grupi libanez i rezistencës Hezbollah dhe Lëvizja Amal lëshuan një deklaratë të përbashkët duke akuzuar për sulmin një “grup të armatosur” të lidhur me partinë “Forcat Libaneze” të udhëhequr nga Samir Geagea.
Ushtria libaneze tha në një deklaratë se protestuesit u sulmuan ndërsa po shkonin drejt Pallatit të Drejtësisë.
Shpërthimi i portit të Bejrutit në gusht të vitit 2020 shkaktoi vdekjen e më shumë se 200 njerëzve, ndërsa rreth 6.000 u plagosën dhe 300.000 mbetën të pastrehë, krahas shkaktimit të dëmeve masive dhe dobësimit të mëtejshëm të ekonomisë tashmë të brishtë të Libanit.