Karachi
29 Janar 2020•Përditësim: 29 Janar 2020
Të paktën 4 studentë pakistanezë që studiojnë në qytetin kinez Wuhan po vuajnë nga koronavirusi, raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilltari i çështjeve shëndetësore i kryeministrisë pakistaneze, Zafar Mirza, i cili konfirmoi se 4 studentët janë prekur nga koronavirusi, gazetarëve në kryeqytetin Islamabad u tha se Pakistani po merr “përgjegjësi të plotë” për studentët dhe për qytetarët e tjerë të saj të cilët ndodhen në Kinë.
Mbi 500 studentë pakistanezë ndodhen në Wuhan ku rastet e para të koronavirusit u shfaqën në muajin dhjetor.
Ambasada kineze në Islamabad në fillim të kësaj jave tha se të gjithë studentët pakistanezë në Wuhan janë “të sigurt dhe të shëndoshë”.
Mirza theksoi se deri më tani nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit në Pakistan, duke shtuar se shëndeti i katër personave nën vëzhgim të cilët së fundmi u kthyen nga Kina është pëmirësuar ndjeshëm.
Numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit ka arritur në 132. Në Kinë janë raportuar rreth 5.974 raste të tjera të konfirmuar me pneumoni të shkaktuar nga koronavirusi, i njohur po ashtu si virusi 2019-nCoV.
Po ashtu është raportuar për gjithsej 9.239 persona të dyshuar si të infektuar me koronavirusin.
Virusi, i cili për herë të parë u shfaq në Wuhan, është përhapur në 30 provinca në vend.
Dhjetëra raste po ashtu janë raportuar në Japoni, Korenë e Veriut, Korenë e Jugut, Tajlandë, SHBA, Singapor, Francë, Gjermani, Malajzi, Australi dhe Vietnam.