Elena Teslova
30 Nëntor 2023•Përditësim: 30 Nëntor 2023
Trembëdhjetë persona humbën jetën nga zjarri në një hostel në qytetin Almati, njoftoi të enjten Ministria e Situatave Emergjente të Kazakistanit, raporton Anadolu.
Mësohet se zjarri është raportuar të enjten në rrugën Adi Sharipov në qytetin Almati.
“Njësiti i parë zjarrfikës mbërriti për shtatë minuta në vendngjarje. Në momentin e mbërritjes në flakë ishte bodrumi i një pallati trekatësh, ku kati i parë dhe bodrumi janë shndërruar në hostel”, thuhet në njoftim.
Gjatë fikjes së zjarrit, ekipet e shpëtimit gjetën 13 trupa, identiteti i të cilëve pritet të përcaktohet, kurse dy persona të tjerë janë shtruar në spital për shkak të helmimit me monoksid karboni.
Sipas të dhënave të fundit, në momentin e ngjarjes në hotel ndodheshin 72 persona dhe pas rënies së zjarrit, 59 prej tyre janë larguar nga objekti.
Zjarri është shuar, ndërsa ekipi nga Ministria e Emergjencave po punon në vendngjarje për pastrimin e rrënojave.
Shkaqet e zjarrit pritet të përcaktohen pas hetimeve.