Furkan Abdula
12 gusht 2023•Përditësim: 14 gusht 2023
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se Kazakistani do të hapë ambasadën e paralajmëruar në Shkup deri në fund të vitit 2023, transmeton Anadolu.
Në njoftimin e MPJ-së së Maqedonisë së Veriut thuhet se kjo është konfirmuar gjatë bisedimeve që ministri i Jashtëm dhe kreu i OSBE-së, Bujar Osmani ka patur me presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistan, Murat Nurtleu, në Astana.
"Ky vendim i Qeverisë së Kazakistanit tregon se Kazakistani e konsideron Maqedoninë e Veriut si partner të besueshëm në këtë pjesë të Evropës dhe është realizim i angazhimit konkret nga deklarata që ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve nënshkruan vitin e kaluar", thuhet në njoftim.
"Kazakistani konsiderohet si shtytës i ekonomisë në Azinë Qendrore dhe hapja e Ambasadës në Shkup do të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe avancimin e kornizës kontraktuale. Në të njëjtën kohë, kjo do të ishte ambasada e parë rezidente nga një vend i Azisë Qendrore në Maqedoninë e Veriut", thuhet në njoftimin e MPJ-së.