Islam Uddin
20 Korrik 2021•Përditësim: 20 Korrik 2021
Kina ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së dhe aleatëve të saj se Pekini zyrtar ka kryer sulm kibernetik ndaj Microsoft-it, transmeton Anadolu Agency (AA).
"SHBA ka bërë në mënyrë të përsëritur sulme të pabazuara dhe shpifje keqdashëse kundër Kinës mbi sigurinë kibernetike. Tani ky është vetëm një mashtrim tjetër i vjetër, pa asgjë të re në të", tha mbrëmë Liu Pengyu, zëdhënësi i Ambasadës Kineze në Washington.
"Pozicioni i qeverisë kineze mbi sigurinë kibernetike është i qëndrueshëm dhe i qartë. Ne i kundërshtojmë dhe luftojmë fuqishëm sulmet kibernetike të çdo lloji", shtoi Liu.
Ai hodhi poshtë përfshirjen e qeverisë kineze ose personelit të saj përkatës në sulmin kibernetik dhe tha se është shumë e vështirë të gjurmosh origjinën e një sulmi kibernetik.
"Është e papërgjegjshme dhe me qëllim të keq të akuzosh një palë të caktuar kur nuk ka prova të mjaftueshme", shtoi zëdhënësi.
Dje, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe NATO-ja publikisht ua atribuuan operatorëve kibernetikë të lidhur me Ministrinë e Sigurimit të Kinës sulmin e muajit mars ku u komprometuan dhjetëra mijëra kompjuterë dhe rrjete në të gjithë botën.
Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se 4 shtetas kinezë janë akuzuar se punojnë për ministrinë kineze për të sulmuar sisteme kompjuterike të korporatave, universiteteve dhe qeverive, me qëllim që të vjedhin pronën intelektuale dhe informacione konfidenciale të biznesit.