Riyaz Khaliq Khaliq
16 mars 2022•Përditësim: 16 mars 2022
Kina ka kundërshtuar edhe një herë shitjet e armëve amerikane në Tajvan, duke theksuar se kjo dëmton paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton transmetuesi publik CGTN, zëdhënëse e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit Shtetëror të Kinës, Zhu Fenglian, po i përgjigjej një pyetjeje mbi një kontratë të fundit blerjeje të një sistemi informacioni dhe komunikimi në terren midis Washingtonit dhe Taipeit, një vazhdim i planit të shitjes së armëve nga SHBA-ja në Tajvan në dhjetor të vitit 2020.
“Përpjekje të tilla nuk do të kenë sukses dhe vetëm do të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe interesat e banorëve të Tajvanit”, tha Fenglian.
Ajo shtoi se Kina, e cila e konsideron Tajvanin provincë të saj të shkëputur, kundërshton çdo formë të shkëmbimeve zyrtare ose kontakteve ushtarake midis SHBA-së dhe ishullit.
Fenglian i ka kërkuar SHBA-së të ndjekë "parimin e një Kine" sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, një ligj i vitit 1979 që ka udhëhequr marrëdhëniet e SHBA-së me Tajvanin. SHBA-ja e njohu zyrtarisht Kinën në vitin 1979 dhe pranoi se Tajvani është pjesë e Kinës kontinentale.
Pekini proteston shpesh ndaj kontakteve të Washingtonit me qeverinë e Tajvanit. Herët këtë muaj, një delegacion i ish-zyrtarëve të mbrojtjes të SHBA-së u takua me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-Wen dhe zyrtarë të tjerë të lartë gjatë një vizite dyditore në Taipei.
Derisa bota është fokusuar në luftën Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, vëzhguesit po vëzhgojnë gjithashtu nga afër lëvizjet e Kinës në lidhje me Tajvanin. Megjithatë, Pekini i ka shtyrë përpjekjet për të tërhequr paralele me situatën pasi e konsideron Tajvanin një çështje të brendshme.