Zekeriya Karadavut
23 Prill 2017•Përditësim: 24 Prill 2017
NIĞDE (AA) - Për kolonelin Ibrahim Taşkın, në kuadër të hetimeve dhe proceseve gjyqësore për tentativën për grusht shteti më 15 korrik nga organizata terroriste FETO, vazhdon procesi i gjykimit nën masën e arrestit me burg. Si rrjedhojë e pranimit për bashkëpunim me autoritetet, ai ka dhënë deklarata mbi strukturën e kësaj organizate terroriste në ushtri, raporton Anadolu Agency (AA).
Taşkın ka thënë se ka nisur studimet në shkollën e mesme ushtarake Kuleli në vitin 1993 dhe pas katër vitesh ka fituar të drejtën e studimit në shkollën ushtarake të këmbësorisë. Ai thotë se për shkak se vinte nga një familje besimtarësh gjatë kësaj periudhe ka vazhduar të lexojë Kur'an-in dhe të falë namazin.
Duke vënë në dukje se me elementët e FETO-s ai është njohur në vitin e tretë të shkollës, Taşkın në vijim të fjalës së tij thotë se pas njohjes me ta, i kanë thënë se leximi i Kur'an-it dhe falja e namazit në një shkollë të tillë është e gabuar.
"Namazin do ta falni në fshehtësi"
Duke treguar se pak para ndarjes nga shkolla e ushtrisë, gjatë fundjavave shkonin në shtëpitë e kësaj organizate, Taşkın shprehet: "Shkonim në shtëpi ku kishte studentë të universiteteve. Fillimisht lexonim Kur'an dhe falnim namaz, por më vonë filluam të ndiqnim kaseta të Fetullah Gülen-it. Në një nga takimet në këtë shtëpi, abi na thotë; tani e tutje nuk do të falni më namaz në shkollë. E keni kategorikisht të ndaluar. Askush nuk duhet të dijë që jeni një besimtar. Do të shfaqni një pamje nacionalizmi. Nuk do të merrni kurrë abdest në vende ku mund t'ju shohin, por në çezmat e banjove. Namazin mund ta falni në çdo vend përmes lëvizjeve të syve. Gjatë mësimit, gjatë trajnimeve, gjatë ecjes dhe madje edhe ndërkohë që rruani mjekrën. Edhe unë kam marrë disa herë abdest në çezmën e banjos dhe kam falur namaz me sy".
Taşkın ka thënë gjithashtu se pasi afroi koha e diplomimit, ata kanë marrë urdhër që të mos martohen deri sa të shkojnë në gradën e kapitenit.
"Vinin gjithmonë thirrje që gruaja të heqë shaminë"
Duke vënë në dukje se pas diplomimit ai është emëruar në Hataj, Taşkın thotë se organizata nuk e ka lënë të lirë as këtu.
"Marrëdhënia ime me këtë organizatë vazhdoi edhe në Hatay dhe më pas. Herë pas here më vinin fjalë në vesh ku thuhej se do të 'dënohesha' për shkak se unë nuk zbatoja urdhrin e tyre për mënyrën e faljes së namazit. Më pas u martova dhe për shkak se bashkëshortja ishte me shami, organizata ishte nxehur shumë. Një ditë më vjen dikush dhe më thotë. 'Kam dëgjuar se do shkarkohesh. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Nuk ja vlen. Nuk është e nevojshme të falësh namaz hapur dhe të mbash bashkëshorten me shami për t'i shërbyer fesë. Duhet të pishë edhe alkool. Unë pi.' Dhe unë këtë gjë ia shpjegova bashkëshortes. I thash që jam i lidhur me ta dhe se janë shumë të fortë dhe se dinë çdo gjë për ne. I tregova se nëse nuk e heq shaminë ata do të më dëbojnë. Ndërkohë bashkëshortja pranoi të heqë shaminë. Në këtë mënyrë vazhdova të falem dhe lutem fshehurazi si dhe të pi alkool. Kjo mjaftoi që unë të ruaj vendin e punës. Pas shumë vitesh një person që punonte në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore më dërgoi në Nevshehir. Në këtë vend më thotë dikush, 'ende në ushtri qenkeni ju? Dosjen tënde e kam përgatitur unë. Madje e kam dërguar edhe në Ankara. Si shpëtuat?' Aty e kuptova se sa të fuqishëm ishin", shpjegon Taşkın në vijim.
"Do të të ndihmojnë abilerët"
Ndërkohë që ishte me detyrë në Mush, Taşkın tregon se dy shokët e tij studionin për provimin e akademisë, ndërsa në vijim shton: "Po nga ta dija unë që ata kishin marrë dhe pyetjet e provimeve. Unë nuk aplikova, ndërsa ata dy shokët u bënë oficerë stafi dhe erdhën mbi mua."
Taşkın tregon se për herë të parë ka nisur të pijë alkool në mënyrë të hapur gjatë një darke të organizuar nga komandanti i batalionit në Mush.
Ai tregon se gjatë shkollës i kishin vendosur një emër tjetër dhe e thërrisnin Namık. Pas emërimit të tij si ndihmës komandant në Trabzon, ka mbledhur informacione për personelin dhe ia ka dorëzuar ato komandantit të tij, i cili sipas tij më pas ka bërë atë që duhej.
Taşkın tregon se pas emërimit të tij në Van, këtu e telefonon një person me nofkën "Doktor Cafer" dhe se më pas janë takuar disa herë në tregun e qytetit.
Ai thotë se personi që takonte duke pretenduar se biseda nga telefonat e rrugës është e vështirë dhe e shtrenjtë, i ka regjistruar një program në telefon i cili quhej ByLock. Taşkın thotë gjithashtu se e ka fshirë këtë program më pas duke menduar se mund ti nxirrte probleme.
Duke vënë në dukje se më pas ai është emëruar si komandant i Xhandarmërisë në Niğde, Taşkın në vijim shton: "Cafer vazhdoi të jetë në kontakt me mua. 'Në Niğde nuk ka njeri të takohet me ty. Do të vijë dikush nga Kajseri dhe do të komunikojë me ty', më tha ai dhe më pas erdhën disa persona të cilët thonin se janë mësues. Fillimisht u takuam në treg dhe më pas u takuam në kafene. Në këto takime na vendosnin CD me Fetullah Gülenin dhe bënin fjalime politike. Gjatë zgjedhjeve na kërkuan të votojmë CHP-në dhe jo AK Partinë. Dukeshin sikur të ishin të gjithë në një mendje. Kjo gjë mua më mërziti shumë. Madje këtë gjë e bëra publike edhe në disa fjalime. Ndërsa më thonin duke më kërcënuar se 'do të më bënin njeri'. Tashmë kisha vendosur të largohem prej tyre dalë nga dalë. Nuk ju hapja telefonat dhe nuk shkoja në takimet e tyre. Ndërsa kur më thërritën një ditë unë duke thënë se kam punë nuk shkova. Pas kësaj më thanë që në një farë mënyrë ata i gjejnë ata që ikin prej tyre dhe i dënojnë për këtë. Atë kohë kishte nisur një fushatë me letra pa emër. Kështu më thanë se do të veprojnë edhe me mua duke më kërcënuar".
Taşkın thotë se ndërkohë që afrohej 15 korriku ata i thonin që çdo gjë do të përfundojë dhe do të rregullohen të gjitha.
Ndërsa duke vënë në dukje se atë natë ka parë emrin e tij tek lista e komandantëve që do të drejtonin vendin, Taşkın në vijim thotë: "Nuk veprova sipas tyre. Madje mbajta edhe një fjalim përpara popullit që ishte mbledhur përpara prefekturës bashkë me prefektin e Niğde-s, Ertan Peynircioğlu në mbrojtje të qytetarëve që kishin dalë në Ankara dhe Stamboll kundër puçistëve".