Mahmoud Barakat
13 Nëntor 2019•Përditësim: 14 Nëntor 2019
Një numër i madh i kolonëve hebrenj kanë hyrë me forcë në kompleksin e xhamisë Al-Aksa të Kudsit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Rreth 123 kolonë të mbështetur nga policia izraelite hynë me forcë në kompleksin Al-Aksa që nga orët e hershme të mëngjësit", tha Administrata e Vakëfit të Kudsit, agjenci kjo e drejtuar nga Jordania, përgjegjëse për mbikëqyrjen e vendeve të shenjta muslimane dhe të krishtere në qytet.
Kolonët hynë në kompleks përmes Portës Al-Maghrib, të ruajtur zakonisht nga policia izraelite.
Sot më herët, të paktën dy palestinezë u martirizuan në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës.
Situata u përshkallëzua në Gaza herët të martën pas një sulmi ajror izraelit, që la të vrarë Bahaa Abu al-Atta, komandantin e grupit të rezistencës Xhihadi Islamik dhe gruan e tij, Asmaa Abu al-Atta.
Për muslimanët, Al-Aksa paraqet vendin e tretë më të shenjtë në botë. Hebrenjtë, nga ana e tyre, i referohen zonës si "Mali i Tempullit", duke pretenduar se ai ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, në të cilin ndodhet Al-Aksa, gjatë Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967. Ai aneksoi zyrtarisht të gjithë qytetin në vitin 1980, duke e pretenduar atë si kryeqytetin e tij, një veprim që kurrë nuk u njoh nga bashkësia ndërkombëtare.