Lokman İlhan
05 Maj 2017•Përditësim: 05 Maj 2017
BOGOTA (AA) - Një zyrtar i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Lëndë Narkotike dhe Krime është rrëmbyer nga krahu opozitar i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Komisioni i Lartë për Periudhën Postkonfliktit, organ ky për zbatimin e marrëveshjes së paqes në Kolumbi, bëhet e ditur se zyrtari i OKB-së Herdledy Lopez Hernandez është rrëmbyer në pjesën rurale të qytetit Miraflores, që gjendet në rajonin administrativ Guaviare.
Sipas deklaratës, Hernandez është rrëmbyer teksa gjendej në rajon për t'u takuar me fshatarët në kuadër të programit për luftën kundër bimëve që përdoren për prodhimin e lëndëve narkotike. Në deklaratë po ashtu kërkohet lirimi i tij.
Rafael Pardo, ministri i Periudhës Postkonflikt, në një deklaratë për mediumet ka thënë se zyrtari i OKB-së është rrëmbyer nga krahu opozitar i FARC-ut.
Ndërkaq, në deklaratën nga Misioni i OKB-së në Kolumbi thuhet se janë duke bashkëpunuar me qeverinë për lirimin e Hernandezit, kurse janë dënuar autorët e këtij rrëmbimi.
Nga ana tjetër, në shtypin kolumbian janë publikuar lajme se zyrtari i OKB-së është rrëmbyer nga Fronti i Parë i FARC-ut, krah opozitar në FARC, i cili më 9 prill kishte organizuar një sulm me bombë ndaj ushtarëve në rajonin administrativ Guaviare, ku kishte humbur jetën një ushtar, kurse tre të tjerë ishin plagosur.
Ndryshe, marrëveshja e parë e paqes mes qeverisë kolumbiane dhe FARC-ut e nënshkruar më 2 tetor të vitit 2016 ishte dërguar në referendum, ku 50,24 përqind e pjesëmarrësve votuan kundër.
Ndërkaq, palët u ulën sërish në kryeqytetin e Kubës, Havana, ku më 12 nëntor të vitit 2016 u arrit marrëveshje e re për paqe, e cila më 24 nëntor 2016 u nënshkrua nga presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos dhe lideri i FARC-ut Rodrigo Londono.
Lufta civile në Kolumbi, shtet ky me mbi 48 milionë banorë, ka zgjatur mbi gjysmë shekulli, duke shkaktuar vdekjen e afër 260 mijë personave dhe migrimin e mbi gjashtë milionë të tjerëve.