Faisal Mahmud
07 tetor 2026•Përditësim: 07 tetor 2026
Koreja e Jugut lëshoi të mërkurën raketën hapësinore vendase Nuri në fluturimin e saj të pestë, duke transportuar 15 satelitë në orbitë, përfshirë pesë që do të jenë pjesë e konstelacionit të parë të mikrosatelitëve të vendit të lëshuar në mënyrë vendase, transmeton Anadolu.
Raketa 200-tonëshe u nis nga Qendra Hapësinore Naro në Goheung, rreth 400 kilometra në jugperëndim të Seulit, në orën 12:25 sipas kohës lokale, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Ngarkesa përbëhet nga pesë mikrosatelitë të Konstelacionit të Satelitëve të Vëzhgimit të Tokës për Sigurinë Kombëtare të gjeneratës së re (NEONSAT) dhe 10 CubeSat.
Pesë satelitët NEONSAT, të numërtuar nga 2 deri në 6, ishin planifikuar të vendoseshin në orbitë me intervale prej 35 deri në 40 sekondash, në një lartësi prej rreth 575 kilometrash, të ndjekur nga CubeSatët.
Secili NEONSAT peshon më pak se 100 kilogramë dhe është pajisur me një kamerë elektro-optike të aftë të dallojë objekte me madhësi deri në 1 metër në imazhet bardh e zi.
Satelitët janë projektuar për të monitoruar Gadishullin Korean dhe zonat përreth për qëllime të sigurisë kombëtare dhe reagimit ndaj fatkeqësive.
Pesë NEONSAT të tjerë pritet të lëshohen në fluturimin e gjashtë të Nuri-t vitin e ardhshëm, duke përfunduar konstelacionin prej 10 satelitësh.
Në nëntor të vitit 2025, Nuri vendosi me sukses 13 satelitë në orbitë gjatë fluturimit të saj të katërt, përfshirë CAS500-3 dhe 12 CubeSat. Ky mision shënoi lëshimin e parë të raketës gjatë natës dhe të parin të udhëhequr nga kompania private Hanwha Aerospace.