Ekip
17 Janar 2018•Përditësim: 17 Janar 2018
SEUL (AA) – Ministria për Bashkim e Koresë së Jugut, përgjegjëse për ndërlidhje ndërkoreane, ka bërë të ditur se Koreja e Veriut planifikon të dërgojë 230 "cheerleader" (nxitëse të tifozëve) në Lojërat Olimpike Dimërore (LOD) të cilat do të argëtojnë publikun në eventet sportive që do të mbahen në datat 9-25 shkurt në qytetin Pyeongchang të Koresë së Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria për Bashkim theksoi se Pheniani tashmë ka caktuar një delegacion olimpik i cili sot do të udhëtojë në Seul për një raund të ri bisedimesh.
Në njoftim bëhet e ditur se dy Koretë kanë biseduar për një ekip të përbashkët në hokej, si dhe për një defilim të përbashkët në ceremoninë e hapjes së lojërave.
Koreja e Veriut më herët njoftoi se delegacioni i saj do të jetë i përbërë nga zyrtarë të shtetit, sportistë, gazetarë dhe një grup artistik.
Bisedimet mes dy Koreve pritet të mbahen të mërkurën që do të jetë raudi i tretë në më pak se dhjetë ditë.