Muhammed Bilal Kenasari
26 Shkurt 2018•Përditësim: 26 Shkurt 2018
WASHINGTON (AA) - Autoritetet e SHBA-së kanë thënë se Gadishulli Korean duhet të pastrohet nga armët bërthamore dhe se ky proces është parakusht për çdo negociatë me autoritetet e Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Pheniani zyrtar në ditët e kaluara ka dërguar mesazhin për gatishmërinë e Koresë së Veriut për vendosjen e lidhjeve direkte dhe kontaktet me SHBA-të ndërsa Shtëpia e Bardhë ka thënë se Koreja e Veriut do të kishte të ardhme të ndritur nëse heq dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore.
"Administrata e Presidentit Donald Trump ka një qëllim të qartë për pastrimin e plotë dhe të pakthyeshëm të armëve bërthamore në Gadishullin Korean. Varësisht nga qëndrimi ndaj këtij procesi, do të shohim qëndrueshmërinë e mesazheve që vijnë nga Pheniani", thuhet në deklaratë.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu deklaroi se SHBA-të dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare do të vazhdojnë t'i bëjnë të qartë Koresë së Veriut se zhvillimi i programi balistik dhe bërthamor e çon vendin në një situatë të pa rrugëdalje.