Ekip
28 Mars 2018•Përditësim: 28 Mars 2018
SEUL (AA) - Koreja e Veriut njoftoi se udhëheqësi i saj Kim Jong-un ka realizuar vizitë jozyrtare në Kinë këtë javë, pas pohimeve të mëparshme se ai kishte udhëtuar jashtë vendit për herë të parë që nga marrja e detyrës në vitin 2011, transmeton Anadolu Agency (AA).
Spekulimet e mediave u intensifikuan pasi një tren special i Koresë së Veriut arriti në Kinë nën siguri të lartë të dielën.
Radiostacioni shtetëror i Koresë së Veriut konfirmoi se Kim ishte ftuar nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili njoftohet se ka pranuar një kërkesë për të vizituar Veriun në një kohë të përshtatshme për të.
Kim është shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe zyrtarë të lartë, vetëm disa javë para samiteve të planifikuara me homologët e tij të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, Moon Jae-in dhe Donald Trump.
Moon dhe Trump synojnë denuklearizimin e Koresë së Veriut pas viteve me tensione në rajon.
Në lidhje me këtë, mesazhi i Kim ka qenë pozitiv dhe në linjë me bisedimet që ka zhvilluar me zyrtarët e Koresë së Jugut në fillim të këtij muaji.
"Është qëndrimi ynë i vazhdueshëm të jemi të përkushtuar ndaj denuklearizimit në gadishull", citohet të ketë thënë Kim nga agjencia kineze e lajmeve Xinhua.
Por, Kim gjithashtu ka këmbëngulur se Koreja e Jugut dhe SHBA duhet "t'u përgjigjen përpjekjeve tona me vullnet të mirë, të krijojnë një atmosferë paqeje dhe stabiliteti, duke marrë masa progresive dhe sinkronike për arritjen e paqes".
Ndërkohë, zyra presidenciale e Jugut është njoftuar nga Kina para udhëtimit të Kim, sipas një zyrtari i cili citohet nga agjencia lokale e lajmeve Yonhap.
Seuli dhe Washingtoni kanë qenë ngurrues për sa i përket përgjigjeve ndaj spekulimeve të mediumeve të kësaj jave, duke refuzuar të verifikojnë zhvillimin në fjalë.
Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë lëshuar pas konfirmimit të së mërkurës zbuloi se Kina gjithashtu e kishte informuar SHBA-në për vizitën e Kim, duke e cilësuar komunikimin si "dëshmi tjetër se fushata jonë e presionit maksimal po krijon atmosferë të përshtatshme për dialogun me Korenë e Veriut".