Ekip
26 Korrik 2019•Përditësim: 27 Korrik 2019
Koreja e Veriut ka deklaruar se lëshimi i raketave të saj në hapësirë ujore një ditë më parë kishte për qëllim të paralajmërojë “luftënxitjen e Koresë së Jugut” para një stërvitje të planifikuar të SHBA-ve për muajin e ardhshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA të Phenianit, testi u realizua nën mbikëqyrjen e udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un, ndërsa përfshinte një “armë të re taktike që do të ishte e vështirë për t’u kapur”.
“(Kim) theksoi se mund të zhvillojmë sisteme armësh super të fuqishme për të mënjanuar kërcënimet potenciale dhe të drejtpërdrejta për sigurinë e vendit tonë që ekzistojnë në Jug”, tha raporti në agjencinë KCNA.
Përderisa Veriu percepton SHBA-të se janë pjesë e këtij kërcënimi nga Jugu, zyrtarët në Washington ende presin që dialogu i nivelit të lartë mbi denuklearizimin të rifillojë së shpejti, ashtu siç u pajtuan në takimin e papritur në ‘Zoën e Demilitarizuar’ mes dy Koreve presidenti amerikan, Donald Trump dhe Kim.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dje në televizionin Bloomberg tha se ai parashikon që bisedimet me Phenianin të rifillojnë “për disa javë” duke iu shmangur lëshimit të fundit të raketave nga Koreja e Veriut.
Koreja e Veriut, tashmë e sanksionuar rëndë, është ndaluar të testojë raketat balistike nën rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).