Agim Sulaj
29 shtator 2026•Përditësim: 29 shtator 2026
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Platformës për Çështje të Komuniteteve te Qeveria e Kosovës, platformë që është zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në vitin 2024, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Zvicrës, transmeton Anadolu.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se platforma u mundëson qytetarëve nga të gjitha komunitetet joshumicë, serb, boshnjak, turk, rom, ashkali, egjiptian, goran, por edhe malazez e kroat, ta gjejnë në një vend të vetëm informacionet që u nevojiten.
“Së pari, ofron informata për politikat e qeverisë, si dhe për mundësitë më të fundit për grante, subvencione, punësim, trajnime dhe punë praktike dhe e dyta u mundëson qytetarëve ta raportojnë drejtpërdrejt diskriminimin, duke krijuar kësisoj komunikim të dyanshëm ndërmjet qeverisë dhe komuniteteve”, tha Kurti.
Kurti njoftoi se platformën do ta menaxhojë Zyra për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe i ftoi të gjitha komunitetet që ta përdorin, promovojnë dhe që të ndihmojnë që kjo ajo të përmirësohet vazhdimisht.
Në ceremoni morën pjesë edhe Fikrim Damka, zv/kryeministër për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Lulëzon Jagxhiu, ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim, Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, si dhe përfaqësues nga Ambasada e Zvicrës, Organizata Ndërkombëtare për Migracion (IOM), komunat dhe komunitetet joshumicë.