Övünç Kutlu
24 dhjetor 2021•Përditësim: 25 dhjetor 2021
Kostoja e darkës së Krishtlindjeve në SHBA është rritur me më shumë se 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar, për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave dhe inflacionit të lartë rekord, raporton Anadolu Agency (AA).
Konsumatorët amerikanë do të paguajnë 15.4 për qind më shumë në bazë vjetore për mallrat që zakonisht shkojnë në darkën e tyre të Krishtlindjeve, sipas Mintec, ofruesi kryesor i pavarur në botë i të dhënave globale të çmimeve dhe inteligjencës së tregut për përbërësit e ushqimit dhe mallrat.
Ndërsa pjesa e produkteve të ushqimit kryesor u rrit me 14.2 për qind në nëntor nga i njëjti muaj i vitit të kaluar, çmimet e përbërësve të ëmbëlsirës u rritën me 35.8 për qind.
Në rast se konsumatorët janë vegjetarian ose duan të qëndrojnë larg mishit, çmimet për vaktet me bazë bimore u rritën me 7.3 për qind, sipas të dhënave të Mintec.
Mishi i derrit dhe gjelit të detit përbëjnë afërsisht 56 për qind të pjesës në një vakt kryesor tipik të Krishtlindjeve në SHBA ndërsa edhe çmimet e tyre janë rritur.
Çmimet e gjelit të detit janë rritur rreth 20 për qind në bazë vjetore, sipas Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA). Një gjel deti rreth 7 kilogram kushton rreth 1.41 dollarë për kilogram, 23 për qind më shumë se vitin e kaluar.
Ndërsa çmimet e mishit të derrit dhe viçit u rritën me 9 për qind çdo vit, çmimet e viçit dhe shpendëve u rritën me 10 për qind, përkatësisht 5.5 për qind, nga një vit më parë, sipas të dhënave të USDA.
Sa i përket perimeve, çmimi i patateve në SHBA është rritur me 17.8 për qind në nëntor nga viti i kaluar ndërsa çmimet e karrotës u rritën me 27.7 për qind dhe çmimet e rrepës u rritën me 8.9 për qind zbuluan të dhënat e Mintec.
Rritja e çmimeve të plehrave është një shqetësim i madh për fermerët amerikanë, pasi ato u rritën deri në 300 për qind në disa pjesë të vendit, sipas Federatës Amerikane të Byrosë Bujqësore.
Çmimet e konsumit në SHBA u rritën me 6.8 për qind në nëntor me bazë vjetore, duke shënuar rritjen më të madhe 12-mujore që nga qershori 1982.
Megjithatë, çmimet e prodhimit në SHBA që u rritën me 9.6 për qind në nëntor në nivelet e tyre më të larta vjetore të regjistruara tregon se çmimet e konsumit mund të rriten shumë mbi nivelin e tyre të lartë në 39 vjet në muajt e ardhshëm.
- Republikanët kritikojnë
Partia Republikane ishte e shpejtë duke kritikuar presidentin Joe Biden për koston e lartë të darkës së Krishtlindjeve dhe inflacionin e lartë rekord.
"Çmimi i një darke Krishtlindjesh është rritur 15.4 për qind nga viti i kaluar! #Bidenflation", shkroi kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) Ronna McDaniel të premten në Twitter.
"Amerikanët nuk janë të gëzuar për çmimin në rritje të Krishtlindjeve nën Bidenflation", shkroi RNC në llogarinë e saj zyrtare në Twitter. "Nëse e keni dëgjuar tashmë një 'ho, ho, ho' këtë sezon të Krishtlindjeve, nuk është babagjyshi. Është Joe Biden duke qeshur se si Bidenflacioni po godet portofolin tuaj".
Presidenti Biden është pjesërisht përgjegjës për inflacionin rekord, megjithatë, pasi ai vazhdoi politikat e paraardhësit të tij, Donald Trump, duke shtypur triliona dollarë dhe duke siguruar likuiditet për tregjet dhe njerëzit gjatë pandemisë së COVID-19, në mënyrë që të parandalojë ngecjen e ekonomisë.
Biden, një demokrat, më 22 nëntor emëroi kryetarin e Rezervës Federale, Jerome Powell, i emëruar nga Trump, një republikan, për të shërbyer në mandatin e dytë si kreu i bankës qendrore.
Një javë më vonë, Powell e ndryshoi tonin e tij të butë në një qëndrim të ashpër përpara Kongresit, duke u zotuar të përdorë të gjitha mjetet e bankës për të luftuar inflacionin.
Rezerva Federale e SHBA-së (FED) më 15 dhjetor hoqi fjalën "kalimtare" nga përshkrimi i inflacionit, duke vendosur të dyfishojë blerjet e aseteve të saj dhe sinjalizoi tre rritje të normave të interesit për vitin 2022 me qëllim që të zbusë inflacionin e lartë.