Elena Teslova
17 Nëntor 2022•Përditësim: 18 Nëntor 2022
Kremlini e quajti sot "fitore të mendjes së shëndoshë" deklaratën përfundimtare të samitit të G-20, i cili përfundoi dje në Indonezi, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se G-20 mund të kishte përfunduar pa ndonjë deklaratë përfundimtare për herë të parë në histori, por "agresiviteti i verbër" i Perëndimit u "neutralizua" dhe u arrit një kompromis.
Peskov tha se Rusia planifikon të vazhdojë punën e saj me G20, njëherësh duke e cilësuar atë si platformën më efektive për zgjidhjen e problemeve ekzistuese globale.
Në fund të samitit dy-ditorë në Bali të mërkurën, G-20 doli me deklaratën përfundimtare, e cila, përveç çështjeve të tjera tha se "shumica e anëtarëve dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë dhe theksuan se ajo po shkakton vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore dhe po përkeqëson ekonominë globale edhe ashtu të brishtë".
"Kishte pikëpamje të tjera dhe vlerësime të ndryshme për situatën dhe sanksionet. Duke pranuar se G20 nuk është forumi për zgjidhjen e çështjeve të sigurisë, ne e pranojmë se çështjet e sigurisë mund të kenë pasoja të dukshme për ekonominë globale", tha ai.
Duke komentuar deklaratat e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy për të zhvilluar bisedime paqeje publike me Rusinë, Peskov tha se nuk ka diçka të tillë si "bisedime publike".
"Vështirë është në përgjithësi të imagjinohen bisedime publike. Nuk ka bisedime publike. Veçanërisht bisedime publike në një zonë të tillë. Por, një gjë është e paqartë: pala ukrainase nuk dëshiron kurrfarë bisedimesh. Operacioni special ushtarak vazhdon, qëllimet e tij duhet të arrihen", tha Peskov.
Sipas tij, çdo bisedë ka një qëllim. "Qëllimet tona janë të njohura dhe këto synime mund të arrihen ose përmes operacionit special ushtarak ose përmes negociatave. Rusia është e hapur për të dyja (opsionet)", theksoi zëdhënësi i Kremlinit.
Në lidhje me thirrjet e SHBA-së për negociata paqeje midis Moskës dhe Kievit, Peskov tha se Washingtoni mund t'i shndërrojë fjalët e saj në vepra dhe duke pasur ndikim tek Kievi, ta bëjë atë "më të përshtatshme për negociata".
I pyetur nëse Moska e konsideron përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, Peskov tha: "Nga pala ruse askush nuk mendon për këtë temë. Kjo temë diskutohet në kryeqytetet evropiane, duke përshkallëzuar tensionet në një sferë krejtësisht të palejueshme, të papranueshme dhe potencialisht të rrezikshme".
Në pyetjen lidhur me zgjatjen e pacaktuar të marrëveshjes së drithit të Istanbulit, e cila u vazhdua edhe për 120 ditë të tjera, Peskov tha se nuk kishte një opsion të tillë në tryezë.
Lidhur me komentet se Rusia ishte përfundimisht përgjegjëse për rënien e raketës në fshatin polak Przewodow në të cilën humbën jetën 2 persona dhe ngjalli frikën e një përshkallëzimi, që kur filloi fushatën e saj ushtarake, Peskov tha se me këtë logjikë fajin e kanë SHBA-ja dhe NATO-ja sepse po t'i kishin marrë parasysh shqetësimet e sigurisë së Rusisë, Moska nuk do ta kishte nisur operacionin në shkurt.
"Nëse SHBA-ja dhe NATO-ja do të kishin ndalur regjimin e Kievit duke dhënë garanci se ai (Kievi) nuk do të sulmonte popullsinë në dy republikat e pavarura me artileri të rëndë dhe tanke nuk do të kishte pasur nevojë për operacionin special ushtarak", tha ai.