Elena Teslova
27 Tetor 2022•Përditësim: 27 Tetor 2022
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia është e gatshme të sigurojë interesat e saj në tryezën e bisedimeve me Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raportet e mediave thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, i dërgoi një mesazh homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, përmes presidentit të vendit afrikan Guinea-Bissau, Umaro Sissoco Embalo, duke e ftuar atë në një dialog derisa lufta në Ukrainë hyn në muajin e nëntë.
"Kolegu ynë nga shteti afrikan ishte i gatshëm, tha se do të ketë kontakte (me Zelenskyy-n) dhe se do t’ia transmetonte palës ukrainase qëndrimin e Putin-it. Nuk ka asnjë mesazh specifik në këtë rast", tha Peskov.
Peskov njoftoi se presidenti Putin e informoi homologun e tij Embalo për bisedimet e paqes ruso-ukrainase që u zhvilluan në muajin mars, kur siç tha ai, një marrëveshje pothuajse u arrit kur pala ukrainase "u zhduk", deklaroi mos gatishmërinë e saj për të vazhduar negociatat dhe më pas miratoi një ligj që ndalon palën ukrainase të zhvillojë bisedime me Rusinë.
"Në të njëjtën kohë, presidenti theksoi se një mos gatishmëri e tillë për të negociuar dhe refuzimi i mirëkuptimeve tashmë të rëna dakord, ndodhi qartë me dekret të Washington-it. Tani, de fakto, Rusia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj, ne jemi të gatshëm të sigurojmë interesat tona në tryezën e bisedimeve. Ne e duam këtë, por në këtë rast po bisedojmë për mungesë të vullnetit të plotë nga ana e Ukrainës", tha Peskov.
Më 24 shkurt, Rusia filloi atë që ajo e quan "operacion special ushtarak" në Ukrainë. Në javët e fundit, forcat ukrainase kanë avancuar një kundër-ofensivë derisa Moska ka thirrur shumë rezervistë dhe ka aneksuar katër rajone ukrainase pas asaj që Perëndimi i denoncoi si referendume të "rreme" të mbajtura në këto rajone.