Wassim Samih Seifeddine
12 Maj 2026•Përditësim: 12 Maj 2026
Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qassem tha sot se "negociatat indirekte" midis Libanit dhe Izraelit janë një "opsion më i mirë", duke argumentuar se Bejruti do të mbante "kartat e forcës" në këtë rast, transmeton Anadolu.
Në një fjalim të regjistruar, Qassem u bëri thirrje autoriteteve libaneze të "tërhiqen nga negociatat direkte që përbëjnë një fitim për Izraelin", duke i përshkruar ato si "lëshime falas".
Qassem tha se çarmatimi i grupit të tij nuk është pjesë e bisedimeve midis Libanit dhe Izraelit, duke e quajtur atë një "çështje të brendshme libaneze".
Çdo marrëveshje e mundshme midis Iranit dhe SHBA-së që përfshin ndalimin e sulmeve ndaj Libanit do të ishte një "kartë më e fortë" për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj vendit, shtoi ai.
Fjalimi i Qassemit erdhi ndërsa Libani dhe Izraeli do të zhvillojnë një raund të tretë bisedimesh këtë javë në Washington.
Të dy vendet, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare, më parë zhvilluan dy raunde bisedimesh në Washington muajin e kaluar mes përpjekjeve të SHBA-së për të avancuar diskutimet diplomatike midis dy palëve.
Takimi i ardhshëm vjen në mes të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Liban, pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, të shpallur më 17 prill dhe të zgjatur deri më 17 maj.
Që nga 2 marsi, sulmet izraelite në Liban kanë vrarë mbi 2.869 persona, kanë plagosur mbi 8.730 të tjerë dhe kanë zhvendosur më shumë se 1.6 milion, rreth një të pestën e popullsisë, sipas të dhënave zyrtare libaneze.