Melike Pala
09 shtator 2026•Përditësim: 09 shtator 2026
Kryeministrja e Islandës, Kristrun Frostadottir ka dënuar një hartë të shpërndarë nga presidenti amerikan, Donald Trump, në të cilën disa vende, përfshirë Islandën, paraqiteshin si pjesë të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit islandez RUV, Frostadottir në një konferencë për media tha se “nënteksti i asaj që po shohim këtu është absurd”.
“Nuk ka asgjë për të qeshur apo normale në bërjen e shakave me sovranitetin e shteteve, veçanërisht sot, kur sovraniteti nuk mund të merret si i mirëqenë”, tha ajo, duke e cilësuar postimin e Trumpit në rrjetet sociale si një “fyerje”.
Harta paraqiste SHBA-në, Kanadanë, Grenlandën, Islandën, Meksikën, Amerikën Qendrore dhe Karaibet të mbuluara me flamurin amerikan ndërsa e gjithë zona ishte emërtuar “Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Frostadottir tha se ambasadori amerikan në Islandë ishte thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme lidhur me postimin për “ta bërë absolutisht të qartë se, nga këndvështrimi ynë, kjo ishte krejtësisht e papranueshme”.
“Askush tjetër nuk mund të vendosë apo të bëjë pazare për pavarësinë ose sovranitetin tonë. Ne vendosim vetë për këto, sipas kushteve tona”, shtoi ajo.
Ministrja e Punëve të Jashtme e Islandës, Thorgerdur Katrin Gunnarsdottir, gjithashtu përsëriti mbështetjen e Islandës për Grenlandën dhe tha se Reykjaviku do të vazhdojë të qëndrojë përkrah popullit të saj.
Në të njëjtën kohë, ajo tha se Islanda dëshiron të ruajë bashkëpunimin me SHBA-në në fusha që përfshijnë tregtinë dhe mbrojtjen.
Frostadottir tha se Islanda nuk ka patur probleme në marrëdhëniet e saj të drejtpërdrejta me SHBA-në, por u pajtua se postimi i Trumpit nuk duhet të shpërfillet si diçka e parëndësishme.