Ömer Tuğrul Çam
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën në takimin e samitit të fundit të vitit 2021 për të diskutuar një sërë çështjesh, si Rusia, çmimet e energjisë, pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), emigracioni dhe mbi sigurinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në Samitin Liderëve të BE-së që mbahet në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, marrin pjesë për herë të parë pas ardhjes në detyrë, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri austriak, Karl Nehammer dhe kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson.
Në takimin që do vazhdojë gjatë gjithë ditës do të diskutohet mbi veprimet e Rusisë në kufirin me Ukrainën, për Bjellorusinë dhe çështja e emigrantëve, pandemia COVID-19, rritja e vaksinimeve, çmimet e rritura të energjisë dhe inflacioni.
Një nga temat kryesore është Rusia. Pas fortifikimit dhe mobilizimit të saj ushtarak në kufirin me Ukrainën, liderët pritet që Moskës t‘i japin mesazhin se "do të përballet me masa që përfshijnë edhe sanksionet ekonomike në rast të një qëndrimi të mundshëm agresiv". Në tryezën e liderëve do të jenë për diskutim se çfarë mund të jenë këto sanksione.
Liderët e BE-së edhe në hyrje të takimit dhanë mesazhe në mbështetje të Ukrainës.
Kancelari gjerman Scholz, duke bërë të ditur se nuk mund të shkelen kufijtë e Ukrainës tha se "Këtu do të theksojmë edhe njëherë se kufijtë nuk mund të shkelen dhe se kjo është bazë e paqes së Evropës. Gjithashtu do të nënvizojmë se së bashku do të bëjmë çdo gjë për të siguruar paprekshmërinë e kufijve".
Ndërsa Gitanas Nauseda, presidenti i Lituanisë, një prej vendeve Baltike që kërkon reagim të ashpër kundër Rusisë, deklaroi se Evropa përveç kufijve të Ukrainës, bashkë edhe zhvillimet në Baltik dhe në anën lindore të NATO-s, po përballet ndoshta me situatën më të rrezikshme të 30 viteve të fundit.
"Me mundësitë që kemi duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar skenarin më të keq. Ndërkohë që skenari më i keq mund të jetë një ndërhyrje e mundshme ushtarake ndaj territoreve të Ukrainës" tha Nauseda.
Në samit do të diskutohen çështje si masat që do zbatohen për udhëtimet në kuadrin e pandemisë COVID-19, situata e shfaqur nga varianti Omicron, rritja e vaksinimeve dhe blerja e përbashkët e vaksinave kundër COVID-19.
Po ashtu në tryezën e liderëve do të jenë edhe çështjet ekonomike, si çmimet e energjisë të rritura muajt e fundit dhe inflacioni në vendet e BE-së.
Ndër të tjera në samitin ku do të vlerësohen edhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes do të bisedohet edhe për deklaratën e përbashkët BE-NATO, si dhe marrëdhëniet me Afrikën përpara Samitit BE-Afrikë që do të mbahet në muajin shkurt.