Oliver Towfigh Nia
21 tetor 2026•Përditësim: 21 tetor 2026
Bashkëkryetarja e partisë së djathtë gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, ka bërë thirrje për “rindërtimin dhe reformimin” e Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
“Nga këndvështrimi ynë, ne besojmë se BE-ja, në formën e tij aktuale, ka nevojë të madhe për reforma. Ne dëshirojmë ta rindërtojmë dhe reformojmë BE-në”, tha Alice Weidel, gjatë një informimi për mediat në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku prezantoi dokumentin e partisë për politikat e BE-së.
Ajo tha se AfD-ja dëshiron “të çojë përpara nismat për reforma në nivel evropian”.
Weidel bëri thirrje për kufizimin e kompetencave të BE-së, ndërsa kërkoi forcimin e sovranitetit kombëtar.
“Ne duhet ta rindërtojmë BE-në. Kompetencat duhet t’u kthehen parlamenteve dhe qeverive kombëtare. Ato duhet ta marrin përsipër procesin e vendimmarrjes”, tha ajo.
Kryetarja e AfD-së theksoi gjithashtu nevojën për “reformimin e traktateve evropiane”.
“Nëse BE-ja dështon në përmbushjen e detyrës madhore të përcaktuar në traktatet evropiane, ne duhet të kemi të drejtën e vetos për t’u tërhequr. Më vjen keq ta them, por kjo është kaos dhe një situatë kaotike”, tha ajo.
Weidel paralajmëroi për rënien e standardit të jetesës së evropianëve dhe vështirësitë e mëdha ekonomike në Evropë.
“Evropianët po varfërohen; po përjetojmë një humbje të theksuar të fuqisë blerëse dhe kemi një monedhë inflacioniste”, tha ajo.
Weidel tha se BE-ja po humbet gjithnjë e më shumë rëndësinë e saj në nivel global në zgjidhjen e krizave ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.
“Nga këndvështrimi i SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, ne nuk luajmë më ndonjë rol të rëndësishëm - dhe kjo duhet të shërbejë si një sinjal paralajmërues për të gjithë ne”, shtoi ajo.