Mohammad Sıo
28 Prill 2026•Përditësim: 28 Prill 2026
Udhëheqësit e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) do të mbajnë sot "samit konsultativ emergjent" në qytetin saudit të Xhedës për të diskutuar mbi përshkallëzimin e tensioneve rajonale dhe përpjekjet për të shtensionuar konfliktin midis SHBA-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Takimi, i raportuar nga Agjencia e Lajmeve të Kuvajtit dhe media të tjera të Gjirit, vjen mes përpjekjeve ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës së vazhdueshme dhe për të mbështetur negociatat indirekte midis SHBA-së dhe Iranit të ndërmjetësuara nga Pakistani.
Sipas KUNA-s, Princi i Kurorës së Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al-Sabah ka udhëtuar për në Xhedë për të marrë pjesë në samit në emër të Emirit Mishal Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah. Mediat rajonale, përfshirë gazetat Al-Jazirah të Arabisë Saudite dhe Al-Sharq të Katarit, raportuan se samiti mund të mbahet nëpërmjet video-konferencës, duke treguar se disa udhëheqës mund të marrin pjesë nga distanca.
Diskutimet pritet të mbulojnë zhvillimet e fundit rajonale dhe implikimet e tyre të sigurisë dhe ekonomike si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ulur tensionet dhe për të rritur stabilitetin. Pritet që udhëheqësit të trajtojnë ndërmjetësimin e Pakistanit midis Washingtonit dhe Teheranit, implikimet e çdo mbylljeje të Ngushticës së Hormuzit dhe shqetësimet më të gjera mbi sigurinë detare dhe tregtinë globale.
Samiti do të shqyrtojë gjithashtu sulmet e fundit që synojnë shtetet e Gjirit, të cilat disa vende ia atribuojnë Iranit dhe aleatëve të tij rajonalë. SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke bërë që Teherani të përgjigjet me sulme ndaj atyre që i përshkroi si interesa të SHBA-së në të gjithë rajonin, shumë prej tyre në vendet e Gjirit.
Një armëpushim u njoftua më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, i ndjekur nga bisedime të organizuara në Islamabad më 11 prill, por negociatat përfunduan pa një marrëveshje. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha më vonë se armëpushimi ishte zgjatur me kërkesën e Pakistanit në pritje të një propozimi nga Teherani.
GCC përfshin Arabinë Saudite, Kuvajtin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Bahreinin dhe Omanin. Samitet konsultative midis udhëheqësve të GCC-së u dakorduan për herë të parë në vitin 1998 si takime gjysmëvjetore midis samiteve të rregullta, me të parin të mbajtur në Xheda në maj 1999.