Büşra Akın Dinçer
03 Dhjetor 2015•Përditësim: 03 Dhjetor 2015
LONDËR (AA) - Qindra protestues kundër sulmeve ajrore të Britanisë së Madhe, u tubuan të mërkurën në mbrëmje para Parlamentit në qendër të Londrës, duke bllokuar rrugën që shpie te dhoma ligjvënëse, në të cilën deputetët bëheshin gati të votojnë sulmet ajrore kundër DAESH-it në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Demonstruesit në moshë të ndryshme mbanin pankarta me mbishkrimet "Shtimi i dhunës nuk është zgjidhje" dhe "Mos i shpenzoni taksat tona në bomba".
Protestuesit gjatë brohoritjeve para Parlamentit kishin në shënjestër kryeministrin të cilit i thanë: "David Cameron turp të keshë" dhe "Nuk na duhet një tjetër luftë".
Disa protestues ishin lidhur me zingjirë duke qëndruar të shtrirë në hyrje të Parlamentit.
"Jemi bashkë me nënat, baballarët, fëmijët dhe me gjithë ata në Siri, shteti i të cilëve është shkatërruar, ndërsa të mbeturit atje vuajnë nga uria në këtë dimër, prandaj nuk dëshirojmë që të bombardohen", tha Didi Rossi, aktiviste nga "Global Women Strike group".
Fay Roberts, tha për Anadolu Agency se bombardimet e mëtutjeshme do të rezultojnë me më shumë të vdekur dhe të zhvendosur.
"Nuk është zgjidhje politike nëse njerëzit vuajnë atje", deklaroi Roberts.
Pavarësisht kësaj, Parlamenti i Britanisë së Madhe mbrëmë votoi aprovimin për të marrë pjesë në operacione ajrore kundër organizatës terroriste DAESH në Siri, ndërsa menjëherë pas kësaj avionët ushtarakë britanikë realizuan dy sulme të ashpra ajrore ndaj pozicioneve terroriste në Siri.