Adem Şalvarcıoğlu
06 Qershor 2018•Përditësim: 06 Qershor 2018
ANKARA (AA) - Kryeministri i Malajzisë, Mahathir Muhammed, tha se është më mirë që të mos mbahen anijet luftarake në Detin e Kinës Jugore, raporton Anadolu Agency (AA).
Mahathir në një konferencë shtypi ndër të tjera vlerësoi edhe çështjen e Detit të Kinës Jugore.
Ai theksoi se asnjë shtet nuk duhet të mbajë anije luftarake në Detin e Kinës Jugore. "Në rast se një vend vëren anijet luftarake të një vendi tjetër, edhe ata do të dëshironin që të mbajnë anijet e tyre. Ky nuk do të jetë një mjedis i shëndetshëm", u shpreh ai.
Ndërsa në lidhje me projektin e Kinës "Iniciativa Rrip dhe Rrugë" tha se "Deri sa nuk mbajnë anije luftarake nuk është problem. Është më mirë që asnjë vend mos të mbaj anijet luftarake në Detin e Kinës Jugore dhe ujërat e Malajzisë, meqë anijet luftarake tërheqin anijet tjera luftarake".
Mahathir për avionin e Malaysia Airlines MH17 i rrëzuar në Ukrainë në vitin 2014, tha se hapat e nevojshme do të hidhen sipas raportit të fundit.
Ndryshe, Ekipi i Përbashkët Hetimor Ndërkombëtar (JIT) kishte njoftuar se kanë vërtetuar se avioni i pasagjerëve MH17 i Malaysia Airlines i rrëzuar në Ukrainë në vitin 2014 ishte qëlluar nga një raketë e ushtrisë ruse. JIT ka theksuar se raketa i përkiste Brigadës 53 të ushtrisë ruse të vendosur në Kursk.
Avioni i pasagjerëve në relacionin Amsterdam-Kuala Lumpur u rrëzua më 17 korrik 2014 në lindje të Ukrainës, 40 kilometra larg kufirit me Rusinë ndërsa në këtë fatkeqësi humbën jetën të gjithë 298 personat në avion.