Turgut Alp Boyraz
05 Tetor 2016•Përditësim: 06 Tetor 2016
TEL AVIV (AA) - Marina izraelite njoftohet se ka ndërhyrë në ujërat ndërkombëtare ndaj anijes Zaytouna e cila mbarte gratë aktiviste që ishin nisur në këtë udhëtim për të thyer bllokadën në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktivistja e të drejtave të njeriut dhe përgjegjësja për shtyp e Flotës së Lirisë, Ellen Huttu Hansson, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se "Kemi humbur lidhjet me anijen Zaytouna në bordin së cilës ndodheshin gratë aktiviste të paqes. Kemi marrë informacione se marina izraelite ka ndërhyre ndaj anijes Zaytouna në ujërat territoriale afërsisht 40-50 milje larg Gazës dhe se ka nisur të tërheqë anijen drejt portit Ashdot."
Ajo ka vënë në dukje se personalisht ndodhet në Strazburg dhe po përpiqet të firmosë letrat mbështetëse tek politikanët evropianë. Pasi ka theksuar se një numër i madh i parlamentarëve evropianë kanë firmosur letrën e mbështetjes, Hansson u shpreh se "I bëj thirrje të gjithë njerëzve që nëpërmjet mediave sociale dhe platformave të tjera civile të na mbështesin dhe të ushtrojnë presion mbi Izraelin."
Gjithashtu edhe në televizionin izraelit Kanal 2 në lajmin në lidhje me çështjen është njoftuar se marina izraelite ka marrë nën kontroll anijen Zaytouna pasi ka ndërhyrë ndaj saj 80 milje larg Gazës dhe se ka nisur ta tërheqë anije drejt porti Ashdot. Në lajm ndër të tjera është vënë në dukje se gjatë ndërhyrjes nuk ka patur rezistencë dhe se anija pritet që të mbërrijë në Ashdot në orët e natës.
Në anijen e cila u nis më 14 shtator nga Spanja për të thyer bllokadën e Gazës ndodhen vetëm gra. Koalicioni i Flotës së Lirisë që ka kaluar në veprim duke marrë mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës si Turqia, Kanadaja, Meksika, Spanja, Norvegjia, SHBA-ja dhe Australia, këtë herë synonte që të mbërrinte në Gaza me "forcën e grave" duke tejkaluar ushtarët izraelitë që kanë penguar edhe herë të tjera iniciativat.