Kasım İleri
09 Korrik 2017•Përditësim: 09 Korrik 2017
WASHINGTON (AA) – Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Herbert R. McMaster, duke theksuar se marrëveshja e armëpushimit në jugperëndim të Sirisë mbi të cilën janë dakorduar SHBA-ja dhe Rusia do të hyjë në fuqi sot në orën 12.00 me orën lokale, ka njoftuar se territoret jo konfliktuale në fjalë përbëjnë përparësi për SHBA-në dhe se progresi i arritur me këtë marrëveshje premton shpresë, raporton Anadolu Agency (AA).
McMaster, në një deklaratë ka vlerësuar marrëveshjen e SHBA-ve dhe Rusisë për armëpushimin në Siri.
Duke bërë të ditur se marrëveshja në fjalë është arritur mes SHBA-ve, Jordanisë dhe Rusisë, McMaster është shprehur më tej: "Qeveritë e Rusisë dhe Jordanisë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje kanë biseduar me shumë liderë në Samitin G-20 duke përshirë Presidentin amerikan, Donald Trump, Presidentin Recep Tayyip Erdoğan, kryeministren britanike, Theresa May dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel. SHBA-ja për të mundur DEASH-in, për të ofruar ndihmë në dhënin fund të krizës në Siri dhe për të siguruar kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre po kryen atë çfarë mundet. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm nga pikëpamja e këtyre objektivave të përbashkëta."
Marrëveshja në fjalë u njoftua pas takimit dypalësh mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, të cilët u takuan në Hamburg të Gjermanisë në kuadër të Samitit G-20.
Kohët e fundit ishin intensifikuar konfliktet mes grupeve mbështetëse të regjimit dhe njësive të mbështetura nga Ushtria e Lirë Siriane (ULS) të cilët mbështeten nga SHBA-të kundër DEASH-it në jug të Sirisë.
SHBA-të kanë vendosur tre herë në objektiv grupet pro regjimit të cilët i ishin afruar kampit El Tanf ku trajnohen opozitarët. Gjithashtu SHBA-të kanë rrëzuar një avion të Sirisë si dhe një dron i cili ende nuk është përcaktuar se kujt i përkiste.
Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, teksa ka bërë një vlerësim në lidhje me bisedën e parë mes Trump dhe Putin në Samitin G-20, është shprehur se SHBA-të dhe Rusia kishin arritur një marrëveshje për armëpushim në jugperëndim të Sirisë dhe se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi më 9 korrik në orën 12.00 ,me orën e Damaskut.