Ahmet Gürhan Kartal
08 qershor 2020•Përditësim: 08 qershor 2020
Mbretëria e Bashkuar ka raportuar 55 raste të reja të vdekjeve, që është numri më i ulët që nga 23 marsi, duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend në 40.597, transmeton Anadolu Agency (AA).
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social tregojnë se janë regjistruar gjithsej 287.399 raste deri më tani.
Vendi ka raportuar më pak se 100 vdekje për dy ditë me radhë. Sipas autoriteteve shëndetësore, sot nuk janë raportuar raste të reja të vdekjeve në spitalet e Londrës.
Vetizolimi i detyrueshëm
Mbretëria e Bashkuar filloi me zbatimin e vetizolimit të detyrueshëm dyjavor për të gjithë personat që vijnë nga jashtë.
Rregullat kërkojnë që të gjithë persona që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë edhe shtetasit britanikë, të deklarojnë adresën ku do të kalojnë vetizolimin dyjavor, ndërsa parashikohen edhe dënime për ata që nuk respektojnë rregullin.
Sekretari i Punëve të Brendshme, Priti Patel, tha se me masat është paraparë parandalimi i valës së dytë të përhapjes së sëmundjes.
Në kuadër të Mbretërisë së Bashkuar, ndryshojnë dënimet nga vendi në vend. Në Angli dhe në Irlandën Veriore dënimi është 1.000 paundë, ndërsa në Skoci dënimi është 480 paundë. Gjithashtu, është paraparë dënim prej 5.000 paundësh nëse përsëritet shkelja e vetizolimit.
Transportuesit e mallrave dhe ata që vizitojnë vendin për arsye shëndetësore nuk e kanë të detyrueshëm vetizolimin.
Numri më i lartë i vdekjeve në Evropë
Numri i vdekjeve nga COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar është më i larti në Evropë, ndërsa parashikohet që ai të arrijë deri në 60 mijë.
Të dhënat zyrtare tregojnë një tendencë të rënies së numri të të infektuarve të rinj, ndërsa vendi ndërmerr hapa drejt normalizimit.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, nga rreth 7 milionë persona të infektuar në mbarën botën COVID-19 ka vrarë mbi 403 mijë dhe rreth 3.1 milionë janë shëruar.