Serdar Dincel
15 shtator 2026•Përditësim: 15 shtator 2026
Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite hoqi të martën në mbrëmje alarmet e emergjencës, pasi kishte lëshuar përkohësisht paralajmërime për rrezik të mundshëm në tri rajone jugperëndimore, mes përshkallëzimit të tensioneve me Huthit në Jemen, transmeton Anadolu.
Alarmet e emergjencës ishin lëshuar në provincën Jazan, në rajonin Khamis Mushait dhe qytetin Abha “për të paralajmëruar për një rrezik të mundshëm”. Ato u hoqën disa minuta më vonë.
Jemeni është përfshirë nga lufta që kur Huthit morën kontrollin e kryeqytetit Sana dhe disa provincave në vitin 2014, duke nxitur një koalicion arab të udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars 2015 në mbështetje të qeverisë jemenase të njohur ndërkombëtarisht.
Grupi rebel është përfshirë sërish në luftime me forcat qeveritare që nga korriku, kur shpalli një bllokadë detare ndaj Arabisë Saudite, ndërsa së fundmi ka pretenduar se ka bërë përparime përgjatë bregdetit të Detit të Kuq dhe Ngushticës Bab al-Mandeb. Huthit kanë shënjestruar gjithashtu infrastrukturën e naftës të Arabisë Saudite.