Oliver Towfigh Nia
14 Prill 2026•Përditësim: 14 Prill 2026
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Afrika është goditur më rëndë nga lufta me Iranin sesa Gjermania, transmeton Anadolu.
“Shkatërrimi i infrastrukturës kyçe në shtetet e Gjirit nga regjimi iranian ka ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin me naftë dhe karburant në Afrikë. Prodhimi i inputeve bujqësore dhe plehrave po ashtu po ndikohet. Për shkak të lidhjeve të ngushta tregtare me Lindjen e Mesme, kjo po e godet Afrikën edhe më fort sesa neve”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me presidentin e Unionit Afrikan, Mahmoud Ali Youssouf.
“Inflacioni po afrohet. Dështimi i të korrave po afrohet. Mungesat ushqimore po afrohen”, shtoi ai.
Kancelari gjerman tha se pyetja kryesore është “si Gjermania dhe Evropa mund të mbështesin vendet afrikane që të bëhen më të pavarura ekonomikisht dhe energjetikisht”.
Para një konference ndërkombëtare për Sudanin që do të mbahet në Berlin nesër, Merz theksoi se Gjermania mbështet të gjitha përpjekjet për një armëpushim.
Merz tha se në “krizën më të madhe humanitare të kohës sonë, luftën civile në Sudan, mbi 20 milionë njerëz po vuajnë nga uria, pothuajse gjysma e popullsisë.
Ai shtoi se Gjermania është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmës humanitare dhe mbështet përpjekjet e SHBA-së, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Egjiptit për të arritur një armëpushim.