STOCKHOLM (AA) - Ministri suedez për Migrim, Morgan Johansson duke folur për çështjen e migracionit, ka thënë se refugjatët e sotëm në Suedi nesër "mund të jenë një Zlatan i ri apo njerëz shumë të suksesshëm", transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vetëm 600.000 refugjatë kanë mbërritur në Bashkimin Evropian (BE). Kjo mund të duket shumë, por sa njerëz jetojnë në BE? Rreth 500 milionë. Kjo është sikur një refugjat në vit të fitoj azilin në një ishull, i cili ka 1.000 banorë", tha Ministri suedez.
Ai shpjegoi se kriza në lidhje me migracionin nuk duhet të ndërlidhet me shifra, por me ndjenjat e përgjegjësisë së përbashkët.
"Të gjitha vendet e BE-së duhet të marrin përgjegjësi. Disa vende ofrojnë azil për 3,000 persona gjatë dy viteve, ndërsa Suedia e bën këtë për dy javë", tha Johansson. Ministri suedez për mediat lokale gjatë diskutimit mbi refugjatët theksoi se duhet të merren parasysh edhe përfitimet nga migrimi, jo vetëm problemet e mundshme apo vështirësitë.
"Rajoni Vastra Gotaland kohët e fundit kishte nevojë për rreth 100 mjekë. Kur i shikuan listat e burimeve njerëzore e panë se tashmë në dispozicionin e tyre kishin 31 mjekë nga Siria", tha Johansson.
Ai theksoi se është shumë i rëndësishëm integrimi i refugjatëve të aftë për tregun e punës në Suedi për të kontribuar në progresin e shoqërisë vendase. "Që të gjithë krenohemi me Zlatan Ibrahimoviç. Ne gjithmonë duhet të kemi parasyshë se ata që vijnë sot në këtë vend si refugjatë, nesër mund të jenë Zlatan apo Loreen të rinjë", tha Johansson.