Sarp Özer
12 Tetor 2022•Përditësim: 13 Tetor 2022
Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Türkiye-s, Hulusi Akar, u takua në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton Anadolu Agency (AA).
Akar, i cili ndodhet në Bruksel në kuadër të Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, u takua me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg në selinë e NATO-s.
Gjatë takimit, në të cilin u diskutuan çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale dhe të NATO-s, Akar ka shprehur qëndrimet e Türkiye-s.
Ministri Akar tha se Türkiye, e cila ka përmbushur përgjegjësitë e saj në NATO, do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën edhe në të ardhmen.
Ndërkaq, Stoltenberg ka theksuar se Türkiye një aleate e rëndësishme në NATO dhe falënderoi Ankaranë për rolin e saj aktiv në korridorin e drithit, zgjidhjen e krizës globale të ushqimit dhe shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.
Nga ana tjetër, Akar sot mori pjesë edhe në takimin e Grupit të Kontaktit për Ukrainën.
Duke shprehur mbështetje për Ukrainën dhe duke përmendur përpjekjet e Türkiye-s për arritjen e një armëpushimi dhe për të ulur tensionet, Akar theksoi rëndësinë e diplomacisë.
Ai tha gjithashtu se rezultatet e përpjekjeve diplomatike të Türkiye-s u korrën me marrëveshjen e drithit dhe shkëmbimin e të burgosurve.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin falënderoi gjithashtu ministrin Akar për kontributet e Türkiye-s.
Shefi i mbrojtjes turke zhvilloi takime të rastit edhe me homologun suedez Peter Hultqvist dhe atë ukrainas Oleksii Reznikov.