Besar Ademi
20 Tetor 2016•Përditësim: 21 Tetor 2016
SHKUP (AA) – Prokuroria Speciale Publike (PSP) përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale që lidhen dhe kanë dalur nga ndjekja e paligjshme e komunikemeve, prezantoi dy raste të reja të hetimeve që mbajnë emrat “Toplik” dhe “Tenderë”, rapoton Anadolu Agency (AA).
Prokurorja Fatime Fetai tha se rasti “Toplik” ka të bëjë me dyshime të bazuara për shpërdorim të detyrës zyrtare gjatë shitjes së tokës ndërtimore për ndërtimin e projektit “Qyteti i Diellit” në Shkup, ndërsa rasti “Tenderë” ka të bëjë me kryerjen e punimeve ndërtimore gjatë ndërtimit të muzeut të VMRO-së.
Ajo theksoi se njerëzit e parë të Ministrisë për Transport dhe Lidhje si dhe të Ministrisë për Kulturë dhe anëtarët e komisioneve të tyre për prokurime janë të dyshuar për shpërdorime të detyrës zyrtare.
Mirëpo, menjëherë pas prezantimit të rasteve nga PSP-ja, ministrja e Kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska ka përgënjeshtruar akuzat e PSP-së duke i quajtur të njëjtat “pjesë të një skenari të paraplanifikuar në funksion të fushatave politike, që synojnë të dëmtojnë punën e Ministrisë që ajo drejton”.
Për rastin “Tenderë” prokurorja Fetai theksoi se në cilësi të të akuzuarit të parë është një person drejtues në Ministrinë e Kulturës dhe tre persona në po të njëjtën ministri në komisionin për Prokurorim nën dyshimin se kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, si dhe për disa kompani kanë mundësuar favorizime për kryerjen e punës përfundimtare ndërtimore për objektin e muzeut të Luftës Revolucionare për çka janë paguar 54.501.336 denarë.
Ndërkaq, ministrja Elizabeta Kançeska-Milevska në konferencën për media të mbajtur në muzeun e Luftës Revolucionare të Maqedonisë deklaroi se nuk është fajtore për akuzat dhe se Ministria që drejton ajo është duke punuar sipas ligjeve. Ajo shtoi se punimet gjatë ndërtimit të muzeut të VMRO-së janë realizuar në bazë të ligjeve.
“Të gjitha akuzat e paraqitura janë të pasakta dhe tërësisht i hedh poshtë. Unë argumentoj se tezat e Fatime Fetait janë thashetheme, me të cilat Prokuroria Speciale Publike dëshiron të njollosë punën time dhe Ministrinë e Kulturës. Të gjitha projektet janë realizuar në bazë të ligjeve dhe janë të pastra si bora”, u shpreh Kançeska-Milevska.