Fatjon Cuka
19 Prill 2019•Përditësim: 19 Prill 2019
Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndërsa u prit nga sekretari i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në një njoftim thekson se gjatë vizitës është arritur marrëveshja me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për marrjen nga Shqipëria të disa helikopterëve "Black Hawk".
Theksohet se ministrja Xhaçka gjatë takimit me homologun amerikan i ka cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një mik i madh dhe aleat i popullit shqiptar, ndërsa sipas saj, "fati i rajonit do të kishte qenë ndryshe pa mbështetjen e aleatit strategjik".
"Shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi", është shprehur ministrja Xhaçka.
Sipas njoftimit, Shanahan tha se Shqipëria është një partner i fortë, ndërsa ai ka nënvizuar ndër të tjera angazhimin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse si dhe objektivin e Qeverisë së Shqipërisë për t’i dedikuar mbrojtjes, 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
"Gjatë vizitës në Washington të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, një tjetër lajm i mirë ishte marrëveshja me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, veçanërisht të Forcës Ajrore, përmes marrjes së disa helikopterëve ‘Black Hawk’", thuhet më tej në njoftim.
Marrëveshja, gjithashtu parashikon edhe mirëmbajtjen e këtyre mjeteve si dhe trajnim të vazhdueshëm të pilotëve dhe teknikëve shqiptarë.