Riyaz Ul Khaliq
03 Dhjetor 2020•Përditësim: 04 Dhjetor 2020
Misioni kinez Chang'e-5 ka mbledhur me sukses mostra nga sipërfaqja e Hënës, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Marrja e mostrave përfundoi. Pas rreth 19 orësh punë në sipërfaqen e Hënës, Chang'e-5 përfundoi me sukses mbledhjen e mostrave robotike dhe mostrat u vulosën dhe u paketuan", tha Hua Chunying, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës, në Twitter.
Sipas Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës (CNSA), sonda filloi të mbledhë mostra pas uljes së saj të suksesshme të martën natën vonë, tetë ditë pasi u ngrit nga Hainan në Kinën jugore më 24 nëntor.
"Chang'e 5 pritet të punojë për rreth dy ditë në një rajon në veri të Mons Ruemker, në fushën e madhe vullkanike Oceanus Procellarum ose 'Oqeani i Stuhive', në skajin perëndimor të anës së afërt të Hënës", thuhet në deklaratën e CNSA të publikuar të mërkurën.
"Ajo do të sjellë rreth 2 kilogram mostra hënore në Tokë në mes të dhjetorit, 44 vjet pasi substancat e fundit nga Hëna u sollën në Tokë".
Sonda ka dërguar gjithashtu fotot e saj të para me ngjyra nga sipërfaqja e Hënës.
Ky është misioni i tretë kinez që zbret në Hënë, pas sondës Chang'e-3 në dhjetor 2013 dhe sondës historike Chang'e-4 që arriti në anën e largët të Hënës në janar 2019.
Nëse misioni Chang'e-5 që pritet të zgjasë rreth 23 ditë, është i suksesshëm, Kina do të bëhet vendi i tretë në botë që sjell mostra nga Hëna, pas SHBA dhe ish-Bashkimit Sovjetik, thuhet në deklaratën e CNSA.