Emre Gürkan Abay
19 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
MOSKË (AA) - Ambasadori rus në Ankara Andrey Karlov, i cili humbi jetën gjatë një sulmi të armatosur vitin e kaluar, është përkujtuar me një ceremoni të mbajtur në Moskë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në bulevardin "Petrozavodskaya" në kryeqytetin rus Moskë është mbajtur një ceremoni përkujtimore para shtëpisë ku jetonte Karlov.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ambasadori i Turqisë në Moskë Hüseyin Diriöz, Marina Karlov bashkëshortja e Karlov si dhe një numër i madh biznesmenësh turq dhe përfaqësues të mediave. Gjithashtu në murin e shtëpisë së Karlov-it u vendos një skulpturë e tij.
Lavrov në një fjalim gjatë hapjes së skulpturës tha se Karlov ishte një mik i ngushtë dhe një diplomat jashtëzakonisht i suksesshëm.
"Ai ka bërë shumë gjëra në vitet e fundit në Turqi dhe ka dhënë kontribute të rëndësishme në zhvillimin e marrëdhënieve tona me një prej fqinjëve tanë më të rëndësishëm. Andrey Karlov humbi jetën teksa ushtronte detyrën e tij për atdheun dhe ne asnjëherë nuk do ta harrojmë atë", deklaroi Lavrov.
Shefi i diplomacisë ruse tha se Karlov ishte një profesionist i nivelit të lartë i cili gjithmonë ka qenë i gatshëm të ofronte ndihmën e tij. "Ishte një person që ka inkurajuar shumë diplomatë dhe për këtë arsye e përkujtojnë me ndjenjat më të sinqerta. Ai ka qenë një udhërrëfyes për ta", u shpreh Lavrov.
Ndërsa Diriöz, në një deklaratë për gazetarin e AA-së pas ceremonisë tha se e kanë përkujtuar me respekt Karlov-in. "Vdekja e tij është një humbje edhe për Rusinë edhe për Turqinë. Ky ishte një veprim kundër marrëdhënënive mes dy vendeve. Po zbulohet se pas kësaj qëndron FETO. Hetimi po vazhdon edhe me pjesëmarrjen e miqve tanë rusë", tha ambasadori turk në Rusi.
Pas ceremonisë para skulpturës së Karlov-it janë vendosur kurora me lule.