Sibel Vezaj
30 Maj 2018•Përditësim: 30 Maj 2018
PRISHTINË (AA) – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës njofton se artistët dhe të rinjtë nga Kosova, të cilët udhëtonin në Beograd për të marrë pjesë në një aktivitet kulturor janë ndaluar nga ana e autoriteteve të Serbisë në pikën kufitare në mes të këtyre dy shteteve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga MPJ thuhet se “Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është e shqetësuar me ndalesën e artistëve dhe të rinjve nga Kosova nga ana e autoriteteve të Serbisë në pikën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë në Merdare dhe keqtrajtimin e tyre nga policia e Serbisë”.
MPJ e Kosovës thekson se pengimi i tyre që të udhëtojnë në Beograd për të marrë pjesë në aktivitetin tradicional kultoror “Mirëdita, Dobar Dan”, ‘janë në kundërshtim me politikën e normalizimit të marrëdhënieve dhe të ndërtimit të marrëdhënieve europiane në mes të Kosovës dhe Serbisë’.
MPJ njofton se do ta adresojë këtë çështje nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Kujtojmë se më 9 maj autoritetet serbe në Merdare nuk kishin lejuar hyrjen në Serbi të përfaqësueses së Kosovës në Karate për seniorë për të marrë pjesë në Kampionatit Evropian të Karatesë, i cili u mbajt në Novi Sad të Serbisë.