Hasan Esen
26 Janar 2017•Përditësim: 27 Janar 2017
BRUKSEL (AA) - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas deklaratave të Presidentit të SHBA-së Donald Trump se ndaj militantëve të organizatës terroriste DEASH mund të jetë e efektshme metoda "waterboarding" për kontrollimin e torturave, ka thënë se NATO vepron sipas ligjeve ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të veprojë si e tillë, raporton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e shefit të NATO-s ka ardhur gjatë konferencës për mediat me Kryeministrin e Malit të Zi, Dusko Markovic i cili ka vizituar selinë qendrore në Bruksel.
Kryeministri i Malit të Zi, Markovic në fjalën e tij tha se ata nuk janë të shqetësuar për miratimin nga SHBA-ja të anëtarësimit të vendit dhe më pas shtoi se "tensionet në lidhje me firmën për anëtarësimin e vendit tonë dalin nga ata të cilët janë kundër këtij anëtarësimi. Por ne jemi të bindur që miratimi do të vijë shumë shpejt."
“Besojmë se të gjitha vendet do të miratojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”
Edhe shefi i NATO-s u shpreh se janë të sigurtë që vendimi për anëtarësimin do të kalojë në Senatin Amerikan. "Në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme është miratuar. Ka marrë mbështetje të fuqishme nga të dyja partitë. Nuk ka asnjë arsye që e njëjta gjë të mos ndodhë edhe në senat", u shpreh ai.
Ai ka vënë në dukje se deri më tani kanë firmosur 21 vende anëtare të NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë dhe se gjatë ditës së sotme pritet vendim pozitiv edhe nga Senati i Francës. Stoltenberg në vijim shtoi: "Presim të miratohet edhe nga vendet e tjera. Normalisht që vendet vendosin vetë se kur do ta miratojnë, por unë shpresoj që të gjitha parlamentet e vendeve anëtare dhe veçanërisht Senati Amerikan do ta marrin këtë vendim."
Edhe përkundër kundërshtimit të Rusisë, NATO në dhjetor të vitit 2015 dërgoi ftesë për anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancë, me arsyetimin se kjo do të kontribuojë drejt stabilitetit dhe paqes në Ballkan.
Mali i Zi pranoi ftesën dhe tani merr pjesë në takimet si vend vëzhgues, ndërsa anëtarësimin e plotfuqishëm do ta fitojë atëherë kur ta miratojnë të gjitha 28 vendet anëtare të NATO-s.
"NATO do të vazhdojë të zbatojë ligjet ndërkombëtare"
Ndërsa lidhur me një pyetje për deklaratën e Trump se "mbi militantët e organizatës terroriste DEASH mund të ketë sukses metoda e teknikës së torturës 'waterboarding'", shefi i NATO-s tha: "Të gjitha operacionet e NATO-s zhvillohen në kuadër të ligjeve ndërkombëtare. Kjo gjë ka vazhduar prej vitesh në këtë mënyrë. Korniza e ligjeve ndërkombëtare është një politikë e vetë NATO-s dhe do të vazhdojë të qëndrojë e tillë."
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se mënyra "waterboarding" e cila ngjall ndjenjën e mbytjes tek personi që torturohet, mund të ketë sukses nëse përdoret tek militantët e DEASH-it duke vënë në dukje se "zjarrit duhet ti përgjigjemi me zjarr".