Hikmet Faruk Başer
06 Dhjetor 2020•Përditësim: 07 Dhjetor 2020
HİKMET FARUK BAŞER
Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e hershme të afërsisht 7 milion njerëzve çdo vit në gjithë botën, tha një ekspert turk i fushës së inxhinierisë meteorologjike.
Prof. Dr. Hüseyin Toros, ligjërues në drejtimin e Inxhinierisë Meteorologjike pranë Fakultetit të Aeronautikës dhe Astronautikës në Universitetin Teknik të Stambollit (ITU), tha për Anadolu Agency (AA) se përdorimi joadekuat i burimeve në botë dhe konsumet e panevojshme shkaktojnë probleme të mëdha në shkallë globale, siç janë ngrohja globale dhe ndryshimi i klimës.
Ai shprehet se ndotja e ajrit është një problem i rëndësishëm mjedisor që ka efekte serioze negative në shëndet, ekonomi dhe ekosisteme.
"Me ftohjen e motit, rritja e përdorimit të lëndëve djegëse të ndryshme fosile për ngrohje dhe kushtet meteorologjike mund të ulin cilësinë e ajrit, veçanërisht në qytete", tha ai.
Sipas tij, madje edhe foshnjat kur janë akoma në barkun e nënës preken negativisht nga ndotja e ajrit.
"Ndotësit e lëshuar në ajër si rezultat i industrisë, trafikut dhe ngrohjes rrisin sëmundjet e mushkërive të tilla si astma, COPD dhe sëmundjet kardiovaskulare. Studimet shkencore tregojnë se ndotja shkakton vdekjen duke shkaktuar sëmundje në traktin respirator, kancerin e mushkërive dhe sëmundjet kardiovaskulare. Ndotja e ajrit është vrasës i padukshëm i fshehtë që vret ngadalë. Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e hershme të 7 milionë njerëzve çdo vit në botë”, thotë Toros.
"Të gjitha llojet e konsumeve të panevojshme duhet të përfundojnë dhe burimet duhet të përdoren në mënyrë efikase për cilësinë e ajrit"
Toros shpjegoi se nëse njerëzit kujdesen, ndotja e ajrit do të ulet, dhe kjo është përgjegjësi e të gjithëve.
Duke deklaruar se burimet duhet të përdoren në mënyrë efikase dhe mënyra e konsumit duhet të rishikohet, Toros tha:
"Së pari, ne duhet t'i japim fund të gjitha llojeve të konsumeve të panevojshme dhe të përdorim burimet në mënyrë efikase për cilësinë e ajrit. Duhet të preferojmë energji të pastra për ajrin. Duhet të përdorim teknologji të pastra në industri. Duhet të jepen trajnime për djegie efikase”.
“Për të zvogëluar ndotjen e ajrit, ne duhet të krijojmë zona për ecje dhe çiklizëm të sigurt, të rrisim zonat e gjelbërta, të përdorim burime energjetike të rinovueshme, të tilla si hidroelektriciteti, energjia e erës, diellore dhe gjeotermale. Ne duhet të inkurajojmë vendbanime të reja duke marrë parasysh kushtet meteorologjike në ristrukturimin e qyteteve”, përfundon Toros.