İlayda Çakırtekin
10 korrik 2026•Përditësim: 10 korrik 2026
Ndërmjetësuesit rajonalë po përpiqen të lehtësojnë tensionet e përshkallëzuara midis SHBA-së dhe Iranit ndërsa bëjnë thirrje për negociata të mëtejshme mbi një marrëveshje për programin bërthamor, njoftoi faqja e lajmeve "Axios" të enjten vonë, transmeton Anadolu.
Burime të shumta, dy nga vendet ndërmjetësuese dhe tjetri një zyrtar i SHBA-së i thanë medias se qeveritë rajonale janë përpjekur të qetësojnë tensionet midis dy vendeve.
Një burim rajonal nga një prej vendeve ndërmjetësuese tha se ndërmjetësit besojnë se sulmet e fundit iraniane në Ngushticën e Hormuzit u kryen nga elementë brenda regjimit iranian që kundërshtojnë memorandumin e mirëkuptimit midis SHBA-së dhe Iranit dhe po kërkojnë ta minojnë atë.
Burimet thanë se zyrtarë nga Katari, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite zhvilluan disa telefonata me zyrtarë amerikanë dhe iranianë të mërkurën në një përpjekje për të ulur tensionet.
"Ka përpjekje të gjera diplomatike për të rënë dakord fillimisht me të dyja palët për de-përshkallëzimin dhe më pas për të caktuar një datë për raund tjetër negociatash midis ekipeve teknike", tha një burim rajonal i përfshirë në ndërmjetësim.
Irani dhe SHBA-ja shkëmbyen sulme gjatë dy ditëve të fundit mes një përshkallëzimi pas sulmeve iraniane ndaj tre anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Teherani nisi një seri sulmesh të enjten ndaj infrastrukturës ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe Jordani si hakmarrje për ditën e dytë të sulmeve të SHBA-së gjatë natës.