ANKARA (AA) - Me ardhjen e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) në hapësirat e mbledhjes së përgatitur nën monitorimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për dorëzimin e armëve dhe procesin e kthimit në shoqëri, është bërë edhe një hap i rëndësishëm në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës 50-vjeçare të Kolumbisë me FARC-un, shkruan Anadolu Agency (AA).
FARC ka zhvilluar luftën më të gjatë të armatosur në Amerikën Latine. Edhe pse kishte vonesë pas marrëveshjes së arritur e cila parashihte që pjesëtarët e FARC-ut të arrijnë në hapësirat e mbledhjes më së voni më 31 janar, është bërë e ditur se ata kanë arritur në hapësirat e mbledhjes më 21 shkurt.
Megjithatë, kryesia e organizatës, duke theksuar se ende nuk janë gati hapësirat e mbledhjes të Misionit të OKB-së në Kolumbi, kanë kërkuar që kalendari i dorëzimit të armëve të rirregullohet.
Parashihet që shtatë mijë anëtarë të organizatë të fillojnë procedurën e dorëzimit të armëve duke filluar nga 1 marsi.
Procesi i negociatave
Në qytetin Havana të Kubës, pas negociatave që zgjatën katër vite mes organizatës Marksist-Leniniste FARC dhe qeverisë së Kolumbisë, në qershor të vitit 2016 palët nënshkruan marrëveshje për t'i dhënë fund luftimeve që shkaktuan vdekjen e mbi 250 mijë personave.
Presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos dhe lideri i FARC-ut Rodrigo Londono që njihet si "Timochenko", të cilët në gusht të vitit të kaluar arritën marrëveshje gjatë negociatave, më 26 shtator të vitit 2016 nënshkruan marrëveshjen e paqes me një ceremoni simbolike në të cilën mori pjesë edhe ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban-Ki-mun, ende pa shkuar në referendum.
Në referendumin që u mbajt në muajin tetor për marrëveshjen e paqes, afro 13 milionë kolumbianë morën pjesë në votim, ku, në një mënyrë befasuese, rezultati doli kundër marrëveshjes me 50.2 përqind të votave.
Pas referendumit, FARC dhe ushtria e Kolumbsë deklaruan se kanë shtyrë armëpushimin deri në fund të vitit. Santos zhvilloi takim me ish-presidentin e shtetit, Alvaro Uribe, i cili kishte mbështetur fushatën kundër marrëveshjes në referendum si dhe me përfaqësues të tjerë të fushatës.
Menjëherë pas referendumit, Santos u nderua me Çmimin Nobel për Paqe për "përpjekjet për t'i dhënë fund luftës që ka zgjatur me vite".
Palët sërish u ulën në tryezën e bisedimeve në Havana, ndërsa më 12 nëntor të vitit 2016 palët nënshkruan marrëveshje të re të paqes, duke deklaruar se edhe një herë kanë rënë dakord.
Kësaj radhe, Santos nuk dëshiroi të përballet më disfatë të re duke e dërguar marrëveshjen në referendum. Duke theksuar se "kanë arritur marrëveshje më të mirë se e mëparshmja", Santos prezantoi marrëveshjen në kongresin me shumicë opozitare dhe më 1 dhjetor arritën që të sigurojnë miratimin e tij në Kongresin e Kolumbisë.
Çfarë ndryshoi në marrëveshjen e re?
Santos, duke penguar që FARC ta braktisë tryzën e bisedimeve, theksoi se në marrëveshjen e re për paqe janë arritur rezultate më të mira. Duke iu drejtuar popullit, presidenti i shtetit deklaroi se janë bërë ndryshime në 57 pika që gjendeshin në marrëveshjen e parë të paqes.
Në marrëveshjen e re u vendos që FARC të deklarojë tërë pasuritë dhe të njëjtat t'i transferojë. U bë e ditur që organizata do të përdorë pasuritë si dëmshpërblim për të gjithë personat e prekur nga luftimet.
Në kuadër të marrëveshjes për paqe, u deklarua se janë bërë hapa për mënjanimin e shqetësimeve të grupeve fetare se është shkaktuar dëm ndaj vlerave familjare.
Po ashtu, u theksua se është pranuar një afat prej dhjetë vitesh për periudhën e tranzicionit të sistemit të drejtësisë, teksa u bë e ditur se do të sigurohen të dhëna gjithëpërfshirëse për grupet të cilat kanë kryer trafikim me lëndë narkotike, me të cilat anëtarët e FARC-ut kishin krijuar lidhje.
Për me tepër, u garantua se marrëveshja e paqes nuk do të jetë pjesë e kushtetutës së Kolumbisë.
Çështjet që përbënë pikat mbështetëse më të rëndësishme të fushatës "kundër marrëveshjes" për referendum, ishin shqetësimet se FARC do të përfaqësohej në parlament, fajtorët nuk do të merrnin dënimin e merituar, ose se pjesëtarët e organizatës do të kishin të drejtën e pronësisë së tokave dhe pasurive. Ndërkaq, Santos deklaroi se janë bërë hapa për mënjanimin e këtyre shqetësimeve, duke mos dhënë detale të mëtejshme.
Në marrëveshjen e re u theksua se anëtarët e FARC-ut që kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe trafikim me lëndë narkotike, mund të gjykohen.
Pse në referendum u votua "kundër"?
Pothuajse në të gjitha anketat e zhvilluara në Kolumbi, rezultatet tregonin se në referendum populli do të votojë "pro" marrëveshjes. Rrjedhimisht, ende pa u bërë referendumi, qeveria e Kolumbisë nënshkroi marrëveshjen e paqes me një ceremoni të hapur për publikun.
Qeveria u mashtrua nga rezultatet e anketave, ndërkohë që flitet se ajo nuk ka shfaqur qëndrim bindës për t'i nxitur qytetarët të votojnë. Për këtë arsye, në rajonet që mbështetën marrëveshjen, thuhet se pjesëmarrja në zgjedhje ka ngelur shumë e ulët.
Ndërkaq, ata që zhvilluan fushatë kundër marrëveshjes ishin dy ish-presidentët e shtetit, Alvaro Uribe dhe Andres Pastrana. Edhe këta dy liderë më herët kishin zhvilluar negociata për paqe me FARC-un.
Mendohet se populli e ka konsideruar referendumin si një zgjedhje midis "paqes ose drejtësisë".
Ndërkohë, shkaqet themelore që rezultati i referendumit nuk doli në favor të marrëveshjes përmblidhen të kenë qenë e drejta e FARC-ut për përfaqësim politik, shpëtimi i fajtorëve pa u dënuar ose me dënime të lehta dhe fitimi i së drejtës nga pjesëtarët e FARC-ut për pronë të tokës ose të pasurive.
Fronti "kundër" marrëveshjes, i cili këmbëngulte se është hap i gabuar "t'u jepen kaq shumë të drejta personave që kanë dëmtuar" shtetin, akuzon shtetin për kompromis të tepërt me anëtarët e FARC-ut.
Nga ana tjetër, qeveria mbron qëndrimin se ka arritur "marrëveshjen më të mirë" të mundshme, duke shtuar se është e pamundur që pjesetarët e organizatës të mbahen në tryezën e bisedimeve pa u dhënë të drejtë përfaqësimi politik dhe pa i lehtësuar sanksionet penale.
Krahas kësaj, bëhet e ditur se tanimë kundër luftës dhe pro paqes janë popullata në rajonet ku në të kaluarën FARC-u kishte zhvilluar luftime të ashpra. Nga ana tjetër, mendohet se individë familjarë të prekur personalisht nga aktivitetet e organizatës kanë votuar "kundër marrëveshjes", duke kundërshtuar, siç thuhet, shpërblimin e fajtorëve me privilegjet e dhëna.
Çfarë e pret Kolumbinë?
Ekspertët janë të një mendimi se Kolumbinë e pret një periudhë e vështirë duke e nënvizuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes.
Në periudhën deri në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vitin 2018, Santos duhet të dëshmojë se marrëveshja e paqes është një sukses. Populli i Kolumbisë, i cili ka ndier efektet e paqes në jetën e përditshme, mendohet se në këtë mënyrë do ta mbështesë marrëveshjen.
Megjithatë, deklarata e Uribes, i cili kryesoi fushatën "kundër" marrëveshjes, se do të rikandidohet në vitin 2018, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e marrëveshjes. Uribe ka njoftuar se fushatën zgjedhore do ta drejtojë nën sloganin "Na u bë padrejtësi". Nëse Uribe arrin të zgjidhet president, ekzistojnë gjasat që ai të shfuqizojë marrëveshjen.
Në kuadër të procesit të risocializimit të anëtarëve të FARC-ut, parashihet që ata të vendosen në rajone të ndryshme dhe në mesin e popullatës kolumbiane. Në këtë gjendje, vëmendje tërheq fakti se "armiqtë e dikurshëm do të jenë fqinjë".
Ndryshe, FARC është themeluar në vitin 1964 si krahu ushtarak i Partisë Komuniste të Kolumbisë, për ideale si drejtësia sociale, reforma e tokave dhe të drejtat e punëtorëve. FARC, i cila ka adaptuar ideologjinë marksiste, përgjatë 50 viteve ka luftuar me ushtrinë e Kolumbisë.
Lufta civile në vend ka shkaktuar vdekjen e afro 260 mijë personave dhe migrimin e mbi gjashtë milionë të tjerëve.
Qeveria kolumbiane dhe FARC disa herë ishin takuar për bisedime për paqe, edhe atë më 1984-1987, 1991-1992, 1999-2002, 2012 dhe 2016.
news_share_descriptionsubscription_contact
